Një ditë pas protestës, socialistët dhe demokratët kanë vijuar përplasjet e tyre e kësaj here për sa i përket dhunës së ushtruar nga policia ndaj protestuesve. Akuza të ndërsjella janë lëshuar nga qeveria dhe opozita mbi dhunë e ushtruar.
Ish-kryeministri Sali Berisha do të ishte nismëtari i kësaj përplasjeje politike, pasi do të postonte foto të dy protestuesve të dhunuar duke akuzuar policinë për ushtrim të dhunës. “Kriminelë të narkopolicise civilë kanë goditur me qytë revolveri dhe shkaktuar plagë të rënda në kokë, në hunde, në nofull dhe trup protestuesve paqësor Ymer Çela dhe djalit të tij Erjon Çela. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këto akte brutale të gangsterëve të narkoshtetit, i them Edvin Krimit dhe Vasal Kimikut do të mbani personalisht përgjegjësi për këto krime të shëmtuara”, do të shkruante Berisha në Facebook.

Pas disa orësh, qeveria do të reagonte nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili do të postonte një video nga kamerat e fshehta të policisë në protestën e djeshme ku dallohej që dy shtetasit për të cilën Berisha ngrinte akuza janë qëlluar nga vetë protestuesit.
“Nga frymëzuesit dhe ekzekutuesit e dhunës së mbrëmshme, tashmë duhet një përgjigje publike për insinuatën e akuzave monstruoze kundër Policisë, që rezultuan në një blof të turpshëm, të ngjashëm me atë të “çadrave pistoletë” të 2011-ës”, do të shkruante Lleshaj.

Por “lufta” politike nuk do të ndalej vetëm me kaq, pasi PD-ja do të publikonte videon e përplasjes mes ish-deputetit të PD-së, Bardh Spahi me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj në ambientet e spitalit të Traumës. Ngjarja ndodhi mbrëmë gjatë kohës kur Lleshaj po vizitonte disa nga policët e plagosur, ndërsa Spahi gjendej atje për të para opozitarët e plagosur.
Ndërsa një pjesë e dialogut mes Spahisë dhe Lleshajt është tejet i zjarrtë, ndërsa ministri rrethohej nga një numër i konsiderueshëm i truprojave dhe policëve.
“Lleshaj: Me çfarë statusi ke ardhur këtu!
Spahia: Me statusin e përfaqësuesit të opozitës, jo me atë opozitë që keni bërë ju. Kur u bëre ti ministër imagjino çfarë statusi duhet, me mu flet ti ashtu, po ik mbaj përgjegjësi. E keni afër fundin, edhe serbët nuk sillen kështu, shiko si i keni bërë.
Lleshaj: Kush i ka bërë kështu, dorën tënde të zezë, që ua ke bërë edhe qytetarëve edhe policëve, more i pafytyrë.
Spahia: Edhe policët që i lini pa mbrojtje, ça doni mos me protestu njerëzit”, është një pjesë e këtij debati në videon e publikuar nga PD-ja, ku vërehet që policia e shoqëron me forcë ish-deputetin për ta larguar nga ambientet ku Lleshaj po vizitonte policët e plagosur.
“Partia Demokratike dënon me ashpërsi ndalimin, shoqërimin dhe arrestimin e protestuesve paqësorë, kundër te cilëve nuk ka asnjë provë. Janë me dhjetëra qytetarët e ndaluar me urdhrin e Edi Ramës dhe mbetjes komuniste, Sandër Lleshaj, të cilët kanë për qëllim të ushtrojnë terror ose të frikësojnë shqiptarët! I kanë bërë llogaritë gabim! Strategjia e përçarjes, e frikësimit, e terrorit dhe dhunës shtetërore ka dështuar!”, do të deklaronte nënkryetari i PD-së, Edi Paloka në konferencën për shtyp.

Për PD-në, shumica e 500 qytetarëve të ndaluar nga policia gjatë këtyre 4 muajve, por që janë sot të lirë, për arsyen e thjeshtë se kanë qenë të pafajshëm, duke i konsideruar si të burgosur politikë.
“Është fakt se sot kemi dy polici brenda radhëve të policisë, atë të profesionistëve të ndershëm dhe atë të narkomilitantëve. Video e mbrëmshme tek Spitali i Traumës është dëshmia më e qartë se në ç’gjendje të mjeruar ndodhet policia shqiptare. Si ushtar politik i një ministri sadist dhe enverist, banditi i veshur me uniformë dhunon edhe vetë vartësin e tij, për të larguar me forcë kolegun Bardh Spahia”, do të shprehej Paloka.
Këtyre qëndrimeve do t’i përgjigjej sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla ku do të deklaronte se “Basha duhet të heqë dorë nga teoria hedh gurin e fsheh dorën, sepse nuk ka asnjë dyshim që personat e dhunshëm, me kapuçë të zinj, janë inspiruar dhe urdhëruar, janë pajisur me mjete shpërthyese terrori në zyrat e PD-së”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



