Gazeta Si - Policia ka arrestuar 16 qytetarë, të cilët morën pjesë në protestën e djeshme për rritjen e çmimeve në Tiranë. Po ashtu do të procedohen në gjendje të lirë 5 persona të tjerë.
Të arrestuarit janë kryesisht të rinj dhe në njoftimin e saj, policia thotë se ata bënë thirrje për grumbullime, bllokuan rrugët dhe kundërshtuan punonjësit e policisë gjatë protestës.
Bëhet fjalë për shtetasit: E. Ç., 21 vjeç, A. Z., 22 vjeç, V. P., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, Gj. P., 22 vjeç, S. Rr., 33 vjeç, P. S., 22 vjeç, E. N., 22 vjeç, E. L., 25 vjeç, M. D., 43 vjeç, A. M., 32 vjeç, A. N., 23 vjeç, E. A., 20 vjeç, Sh. M., 25 vjeç, Xh. L., 25 vjeç, dhe B. L., 28 vjeç.
Të ndaluarit akuzohen për veprat penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Prishja e qetësisë publike", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".
Një natë më parë, në një tubim masiv, me qindra qytetarë protestuan kundër rritjes së çmimit të ushqimeve dhe të karburanteve.
Më herët, kryeministri Rama u përpoq përmes një potimi në rrjetet sociale, të justifikohet se lufta në Ukrainë ka ndikuar tërësisht në shtrenjtimin e karburanteve dhe ushqimeve.
Ai shkroi se e mirëkupton stresin e madh të kësaj kohe të qytetarëve, por qeveria, thotë Rama ka vendosur një mburojë financiare për familjarët dhe bizneset e vogla. Ai i vë sërish fajin luftës për të cilën thotë se “po i ngre zgupthi çmimet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.