“Një takim me historinë, me 16 mars në Tiranë”. Kjo është deklarata e fundit e lëshuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha nga Durrësi në takimin me studentët, të cilët i ftoi që të marrin pjesë në mënyrë masive. Protesta e opozitës më 16 mars përpara Kryeministrisë do të ketë vetëm marshim të qytetarëve dhe nuk është parashikuar asnjë fjalim nga ana e liderëve. Një protestë e ngjashme me atë 16 shkurtit përpara Kryeministrisë. Por mësohet se ajo nuk ka ndonjë orar se kur do të përfundojë.
“Më 16 Mars do vijnë qytetarë nga Shqipëria do protestojnë para Kryeministrisë për të treguar që opozita është për të treguar se qeveria nuk përfaqëson situatën politike dhe ekonomike, nuk përfaqëson asgjë që ka lidhje me interesin e shqiptarëve. Do të jetë i njëjti format si data 16 shkurt. Do ketë prezencë të Diasporës dhe ka domethënie shumë të madhe se një nga arsyet pse largohen shqiptarët është Edi Rama dhe qeveria e tij. Protesta do të nisë në orën 11:00 dhe do mbarojë kur të shikohet e arsyeshme se mbaron. Nuk do jetë 1 orë ose dy orë, nuk do ketë fjalime”, deklaroi në ABC NEWS, ish-deputetja e PD-s, Jorida Tabaku.
Por e pyetur nëse do të ketë akte dhunë në protestën e së shtunës, Tabaku sqaroi se PD vjen në pushtet me zgjedhje të lira dhe jo me dhunë, por se çfarë ndodh me njerëzit e irrituar është jashtë kontrollit të çdokujt.
“PD nuk merr me forcë asgjë, PD vjen në pushtet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk di se çdo ndodhë me njerëzit e irrituar. Ne protestojmë me forcën e numrave. Ne nuk do bëjmë kurrë asgjë, nëse kordoni i policisë hapet vetë dhe njerëzit e irrituar mund të kenë ballafaqim momental është jashtë kontrollit të çdokujt”, u shpreh ish deputetja demokrate.

“Do të jetë një nga protestat më të bukura, por do të jetë edhe një nga protestat më të forta që ka parë Shqipëria e tranzicionit mbas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës”, do të shprehej kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Opozita ka angazhuar strukturat e saj me qëllim për të pasur sa më shumë protestues përpara Kryeministrisë. Synimi i tyre është që të ketë më shumë njerëz se sa në protestën e 16 shkurtit. Për këtë liderët e dy partive aleate, Basha dhe Kryemadhi prej ditësh kanë ndërmarrë takime nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë me qëllim për të thirrur sa më shumë protestues përpara Kryeministrisë.
Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur disa herë strukturat e PD-së, kryesinë, krerët e degëve të PD-së me qëllim për të pasur sa më shumë masivitet më 16 mars.
Basha ka nxjerrë një udhëzim të posaçëm për degët e partisë, duke kërkuar raportime të hollësishme sa i përket numrit të pjesëmarrëse, në mënyrë që deklarimet të mos jenë fiktive. Gjithashtu parashikohet edhe llogaridhënia e strukturave partiake në rast të dështimit në këtë protestë.
Prej dy ditësh Basha ka postuar dhe videon për protestën e 16 marsit, ku me këtë mesazh jep arsyet se pse duhet të protestohet.
Kryeministria nga ana e saj ka marrë masat duke vendosur skela siguri. Po ashtu, për të vëzhguar protestuesit janë instaluar 4 kamera me shikim 360 gradë. Ato janë pozicionuar dy me pamje nga godina e qeverisë dhe dy nga Kuvendi. Përforcimi i skelës pranë hyrjes së Kryeministrisë ka nisur që prej mëngjesit, ndërsa ndryshe nga protestat e tjera është zgjeruar edhe perimetri rrethues me kangjella. Përveç këtyre masave, Policia e Shtetit ka instaluar dhe 4 kamera sigurie para godinës së Kryeministrisë, të cilat do të shërbejnë për identifikuar protestuesit me anë të zmadhimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





