Mëngjesi i së enjtes e gjeti më të qetë se ditët e tjerë zonën përreth godinës së Parlamentit në Tiranë. Frika e një proteste të dhunshme nisur edhe nga paralajmërimet e sinjalet e përçuara fillimisht nga Policia e Shtetit dhe më pas edhe nga përfaqësitë diplomatike ndërkombëtare tremben bizneset e zonës, një pjesë e të cilëve nuk i kishte ngritur fare qepenat.
Një natë më parë, rrethimi i Kuvendit u përforcua me tela me gjemba, ndërkohë që në orët e para të mëngjesit, forca të shumta të policisë dhe gardës bllokuan rrugën George Bush. Kalimi lejohej vetëm për këmbësorët, ndërkohë që kordonët e para me forcat Shqiponja dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u vendosën në hyrjen qendrore të godinës së Parlamentit, në rrugicën mes Kuvendit dhe Xhamisë së Namazgjasë dhe në Pedonale.
Protestuesit e parë nisën që të grumbulloheshin në oborrin e selisë së Partisë Demokratike që në orën 09:00 në pritje të Lulzim Bashës dhe drejtuesve të tjerë të partisë. Fillimisht Basha dhe më pas Sali Berisha dhe deputetë të tjerë demokratë mbërritën disa minuta para orës 10:00 në seli, ndërsa grupe protestuesish kishin nisur grumbullimin para Parlamentit.
Duke hyrë në seli, për t’u takuar me drejtuesit e tjerë të opozitës dhe deputetët firmëtarë të dorëheqjes Basha përcolli një mesazh të shkurtër para mediave, ku foli për ditën e parë të një beteje.
“Kjo është dita e parë e betejës për t’u rikthyer qytetarëve Parlamentin. E ardhmja nuk do të jetë e kriminelëve, e Ramës me shokë, e oligarkëve që po vjedhin shqiptarët. Sot bëjmë realitet djegien e mandateve për të mos qenë fasadë e një Kuvendi të kapur nga krimi”, tha ai.
Grupe të rinjsh të Forumit Rinor të Partisë Demokratike mbërritën rreth orës 10:00 para Kuvendit me qirinj të ndezur dhe lule në dorë. Për dallim nga 16 shkurti, lulet nuk ishin për forcat e policisë. Të rinjtë ndezën qirinjtë dhe vendosën lule në hyrjen kryesore të Kuvendit si simbolikë e “vdekjes” së Parlamentit me djegien e mandateve të opozitës.
Më pas, të rinjtë, që mbanin në krah një rrip dallues u vendosën mes protestuesve dhe forcave të policisë me detyrën për të shmangur dhunën. Që dhuna do të shmangej u zotuan edhe drejtuesit e Partisë Demokratike para se protestuesve para Parlamentit t’i bashkohej Lulzim Basha.
Edhe në këtë protestë, ashtu si më 16 shkurt para Kryeministrisë mungonin simbolet partiake. I vetmi simbol që shpërfaqej nga protestuesit ishte flamuri kombëtar. Basha iu bashkua protestuesve rreth 30 minuta pas orës 10. Këtu u shpërfaq ndryshimi i parë me 16 shkurtin. Basha, deputetët e PD, aleatët e tjerë të PD-së dhe qytetarë nisën fjalimet përpara protestuesve.
Mesazhi kryesor i përcjellë nga të gjithë ligjvënësit opozitarë të dorëhequr ishte një. “I dorëzuam mandatet popullit”, thanë ata.
I fundit që mori fjalën para protestuesve ishte vetë Lulzim Basha. Ai tha se akti i dorëheqjes masive të deputetëve të opozitës ishte vetëm fillimi i fundit për Edi Ramën.
“Ai (Edi Rama) do të përfundojë para drejtësisë ndaj i bëj thirrje policisë që të mos lejojë të dalë nga kufijtë e Shqipërisë të të pandehurit të popullit, Edi Rama”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së u drejtoi një thirrje edhe ndërkombëtarëve.
“Mos kërkoni kurrë që të pranoj për popullin tim atë që ju nuk do të pranonit kurrë për popullin tuaj. Nuk do të pranoj që Kushtetuta të shndërrohet në letër higjenike të një krimineli. Nuk do të pranoj zgjedhjet e blera nga krimi i organizuar”, apeloi ai.
Në momentin që ai shqiptonte këto fjalë, disa shkëndija mes protestuesve dhe forcave të policisë u shfaqën. Basha bëri thirrje për qetësi. “Mos i prekni policët se ata janë të nënpaguar”, tha ai.
Në fund, Basha kapi pa përgatitur pjesën më të madhe të protestuesve, por edhe të mediave.
“Asnjëri të mos mungojë. Të gjithë pas nesh në këtë drejtim për të dorëzuar mandatet e deputetëve, për t’i dhënë fund masakrës, për të marrë në dorë fatet tona si njerëz të lirisë dhe demokracisë dhe Europës! Për të finalizuar këtë akt historik dhe patriotik!”, tha Basha.
Thirrrja ishte një orientim i turmës në drejtim të Kryesisë së Kuvendit, atje ku Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe deputetët e tjerë të opozitës do të dorëzonin zyrtarisht dorëheqjet. Me këtë thirrje të Bashës u mbyll protesta para Parlamentit, ku ra në sy mungesa e fjalës nga ana e Sali Berishës.
Kryesia e Kuvendit ndodhet përballë Kryeministrisë në bulevardin qendror të Tiranës. Në momentin që Basha orientonte turmën në drejtim të saj, brenda Kryesisë ishte Edi Rama që po zhvillonte një takim me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Kryeministri u largua nga Kryesia dhe u fut në Kryeministri pak para se në bulevard të shfaqej turma e protestuesve të prirë nga Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha.
Zhvendosja e protestës vërtet zuri pa përgatitur pjesëmarrësit në tubim dhe mediat, por jo Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës. Masat e sigurisë së përforcuar ishin reflektuar edhe tek godina e Kryeministrisë, edhe tek ajo e Kryesisë së Kuvendit, ndërkohë që pjesa më e madhe e 1500 forcave që ndodheshin për të siguruar sallën e seancave plenare të Parlamentit u zhvendosën në drejtim të Kryesisë dhe Kryeministrisë.
Kordonët e sigurisë u vendosën me shpejtësi në derën hyrëse për tek godina e Kryesisë së Kuvendit. Edhe këtu nuk pati incidente dhe të vetmit që kaluan këto kordone ishin deputetët e opozitës që hynë në radhë një nga një për të dorëzuar dorëheqjet e tyre.
Me t’u mbyllur ky proces, Lulzim Basha i orientoi protestuesit për një tjetër zhvendosje. Ai kërkoi prej tyre që të niseshin drejt selisë së Partisë Demokratike së bashku me të. Një numër i vogël protestuesish e ndoqën dhe ishin të pranishëm në fjalimin përmbyllës së protestës. Basha tha se kjo ishte dita e parë e betejës dhe ftoi sërish qytetarët në betejat e tjera në të gjithë vendin.
Fjalimin e mbylli duke kënduar himnin kombëtar dhe duke bërë me duar simbolin e shqiponjës. Kjo ishte edhe protesta e opozitës për këtë të enjte, që për hir të së vërtetës nuk kishte as kohëzgjatjen dhe as masivitetin e protestës së 16 shkurtit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.











