Politike

Protesta në Tiranë/ Ish presidenti Moisiu: Qarqet serbo-ruse fabrikuan akuzat për ish krerët e UÇK-së

Ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, mbajti fjalën e tij në protestën që po mbahet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish krerëvë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.

Moisiu tha Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kanë mbrojtur popullin e vet.

Për ish presidentin shqiptar, akuzat ndaj liderëve historikë të UÇK-së janë të fabrikuara nga qarqet serbo-ruse, por bëri thirrje që të mos lejohet nëpërmkëmbja e gjakut të dëshmorëve shqiptarëe të rënë për lirinë e Kosovës.

“Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin kombëtar, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe të kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së, që luftuan për lirinë e atdheut”, tha Moisiu, duke shtuar se janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qelat e errëta serbo-ruse. “Dua të theksoj se lufta e UÇK-së u mbështet fuqishëm nga NATO dhe SHBA, dhe nga partnerët e rëndësishëm perëndimorë”.

Moisiu tha se është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin sa më lart për të ngritur vendin tonë. “Nuk mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, është fituar me gjak, me sakrifica dhe vendosmëri. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten për t’u bërë mësim të gjithëve”, tha Moisiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë