Gazeta Si – Komisioni Zgjedhor i Rumanisë ka hedhur poshtë kandidaturën e kandidatit presidencial të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, i cili donte të garonte sërish në zgjedhjet e 4 majit.
Georgescu, pro-rus, kishte fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 nëntor, të anuluara më pas nga Gjykata Kushtetuese dy ditë përpara balotazhit më 8 dhjetor për shkak të një sërë parregullsish në financimin e fushatës së tij elektorale, me akuza për ndërhyrje ruse në favor të tij.
Në fund të shkurtit, Georgescu u ndalua nga policia dhe u mor në pyetje nga gjyqtarët, të cilët e vunë nën hetim për akuza të rënda, ndër të tjera, sulm ndaj rendit kushtetues, deklarata të rreme për financimin e fushatës së tij elektorale, krijimi i një organizate fashiste, raciste dhe ksenofobike.

Megjithatë, ai kishte vendosur të riparaqiste kandidaturën e tij. Tashmë komisioni zgjedhor e ka refuzuar kërkesën, pa specifikuar megjithatë arsyet e vendimit.
Në Bukuresht, disa qindra mbështetës të politikanit u mblodhën për të protestuar para selisë së Komisionit Zgjedhor.
Policia ka shpërndarë protestuesit duke përdorur gaz lotsjellës. Një person ka mbetur i plagosur nga një send i mprehtë.

“Pas një vendimi të zyrës zgjedhore, demonstruesit detyruan kordonin e xhandarëve të tentojë të hyjë në godinë”, tha policia, duke saktësuar më pas se situata ishte kthyer “nën kontroll”.
Ndaj ankesës në Gjykatën Kushtetuese, Georgescu, i cili ende mund të apelojë në Gjykatën Kushtetuese, ka protestuar ndërkohë kundër përjashtimit të tij me një postim në X, duke e cilësuar atë “një goditje direkte ndaj demokracisë në botë”.
“Evropa tani është një diktaturë, – shton ai, – Rumania jeton nën tirani!”. Mbështetësit e Georgescu-t kanë dalë në rrugë disa herë në javët e fundit, pasi autoritetet rumune ngritën alarmin mbi “një seri veprimesh hibride” nga Moska, që shpesh rezultuan në përleshje dhe trazira.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.