Kosova

Protesta në Prishtinë kundër ngacmimeve seksuale

Nxënësit e tri shkollave të mesme të kryeqytetit të Kosovës, kanë mbajtur në Prishtinë një marsh protestues më moton “Traume, Jo Lojë”. Ky marsh është mbajtur, pas skandalit të sulmit seksual ndaj një vajze të mitur në Prishtinë, që raportohet se ka ndodhur muajin e kaluar.

Protestuesit kanë thënë se “protestojmë për vajzat, gratë, motrat dhe nënat tona, sepse është “Traumë, Jo Lojë”. Ata kanë kërkuar rritje të vetëdijesimit në raport më fenomenin e ngacmimeve seksuale. Protesta është organizuar nga nxënësit e gjimnazeve, “Xhevdet Doda”, “Sami Frashëri” dhe “Ahmet Gashi”.

Marshit i është bashkuar edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Të rriten djemtë dhe vajza në të njëjten mënyrë e të barabartë brenda mureve të shtëpisë, të mos lejojmë djemtë t’i nënçmojnë motrat e tyre apo këdo tjetër, por t’iu mësojmë dashurinë dhe respektin”, ka shkruar Jahjaga në rrjetin social Facebook.

Mediat në Kosovë, javën e kaluar, kanë shpërndarë një video ku pretendohet për ngacmim seksual të një të miture nga tre fëmijë, në oborrin e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë.

Drejtoria e kësaj shkolle, përmes një komunikate për media, ka thënë se që nga pranimi i videos ka ndërmarrë të gjitha masat si brenda edhe jashtë shkollës, duke njoftuar prindërit e të dy palëve, Policinë e komunitetit, Qendrën për Punë Sociale dhe organe të tjera kompetente, dhe të gjithë personat që kanë mundur të preken në mënyrë indirekte nga rasti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë