Nga Gazeta ‘Si’- Mijëra qytetarë kanë mbushur sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë në tubimin në mbështetje të drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më shumë se 1 orë, sheshi u mbush nga flamujt kuqezi dhe pankartat me thirrje kombëtare.
Fotot e ish-presidentit Hashtim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit u vendosën krah memorialit të heroit kombëtar Gjergj Skënderbeu, ndërsa përballë ishin mijëra shqiptarë që jehuan me thirrjet “liri dhe drejtësi për çlirimtarët”.

Protesta, e organizuar me moton “Liria ka emër” nga veteranët e UÇK-së, nisi me himnin kombëtar dhe vijoi me fjalën e ish-komandantit të UÇK-së, Hysni Gucati.
Në fjalën e tij, Gucati, deklaroi se Gjykata Speciale ka humbur besimin tek shqiptarët.
Gucati theksoi se proceset gjyqësore të Hagës ndaj luftëtarëve të UÇK, janë të njëanshme dhe të padrejta.
“Ne sot po protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi. Jemi këtu për të mbrojtur luftën e shenjtë të luftë çlirimtare të Kosovës. UÇK nuk ka nevojë ta vërtetojë se ka qenë ushtri çlirimtare. Këtë e ka dëshmuar vetëm historia, populli, varet e dëshmorëve, e ka dëshmuar vota mbarë”, tha ai, duke shtuar se duan të njollosin luftën tonë të shenjtë për liri.





“Por ne nuk do ta pranojmë, nuk do ta lejojmë që të përdhoset. Nuk do të heshtim për historinë popullit tonë. Kjo nuk ka lidhje me politikën. Ne po kërkojmë drejtësi para ligjit dhe para historisë. Po i themi botës Kosova ka luftuar për liri dhe çlirim. Nuk ishim kriminel. Ne deklarojmë qartë që Gjykata Speciale humbi besimin tek Shqiptarët. Proceset që po bëhen në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta”, tha Gucati.

Që në orët e para të ditës janë vërejtur lëvizje të shtuara në “Rrugën e Kombit”, ku dhjetëra automjete, të zbukuruara me flamuj kuqezi dhe simbole të UÇK-së, udhëtuan në grupe drejt kryeqytetit shqiptar.


Nga politika shqiptare, protestës iu bashkuan edhe deputetët e PS, ndërsa PD ka refuzuar të marrë pjesë.
Protesta që organizohet nga veteranët e UÇK-së përplasi në distancë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrin Edi Rama, të cilët nuk do të jenë në protestë.
Ishte i pari Kurti që sulmoi Ramën duke përdorur llogarinë në Facebook të partisë Lëvizja Vetëvendosje, ku thonte se Rama fluturoi me helikopter drejt Kosovës për t’i bindur palët që të votonin pro ngritjes së Gjykatës Speciale.
Nga ana tjetër, Rama i tha se Kurti do ta donte Hashim Thaçin për jetë në Hagë, ndërsa tha se refuzoi t’i bashkohet protestës për shkak të politizimit.
Prej 3 prilli të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



