Policia ka arrestuar dy persona që protestuan ditën e djeshme me arkivol në Durrës.
Disa të rinj kishin dalë për të protestuar për të disatën ditë për vrasjen e Klodian Rashës, teksa kishin gjetur një mënyrë tjetër me arkivol, flamur shqiptar mbi të dhe me parrullën ”Drejtësia ka vdekur”.
Përveç dy të arrestuarve, Policia ka proceduar edhe dy të rinj të tjerë, të cilët ishin pjesëmarrës.
Dyshohet se një prej të arrestuarve është Artjon Bajrami, kreu i FRPD në Durrës i cili dje u ndalua pas debateve me policët që i kërkonin të ndalej protesta pasi nuk lejohesin grumbullimet.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. M., 24 vjeç dhe A. B., 30 vjeç, si dhe proceduan penalisht shtetasit A. V., 20 vjeç dhe F. D., 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Këta shtetas, edhe pse shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur që nuk lejohen tubimet dhe grumbullimet për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, kanë vijuar të protestojnë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




