Nga Gazeta ‘Si’- Mijëra qytetarë kanë protestuar në Beograd kundër planit për shembjen e ish-shtabit të ushtrisë jugosllave, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi hotelesh luksoze, pjesë e një projekti të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Donald Trump.
Tubimi shënoi një tjetër valë protestash kundër qeverisë së presidentit Aleksandër Vuçiç, të cilat janë shtuar pas rrëzimit të çatisë së një stacioni treni vitin e kaluar, ku humbën jetën 16 persona.
Të premten, parlamenti serb miratoi një ligj që parashikon procedura më të shpejta administrative për kompaninë Affinity Global Development të Kushnerit, për ndërtimin e hotelit, apartamenteve, dyqaneve dhe zyrave në vendin ku ndodhej ish-komanda e ushtrisë jugosllave.
Pjesa më e madhe e serbëve e shohin ndërtesën, e cila u dëmtua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 gjatë luftës së Kosovës, si një monument për viktimat dhe si një shembull të rëndësishëm të arkitekturës moderniste të epokës jugosllave. Ata kundërshtojnë marrëveshjen 99-vjeçare të qirasë, të nënshkruar vitin e kaluar me kompaninë amerikane.

“Ne jemi këtu për të ngritur zërin kundër këtij ligji”, tha Teodora Smiljaniç, 48 vjeç, një nga protestueset. “Me këtë ligj, Vuçiç po përpiqet t’i bëjë qejfin Trumpit dhe të fitojë favore.”
Disa deputetë të opozitës e kanë cilësuar ligjin antikushtetues, por shumica qeverisëse e miratoi atë pa ndryshime, duke argumentuar se projekti është i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
Pavarësisht kundërshtimeve, qeveria e Vuçiçit hoqi nëntorin e kaluar statusin e mbrojtur të kompleksit të vjetër ushtarak.
“Ne po japim tokën, ndërsa ata po sjellin një investim prej të paktën 650 milionë eurosh, një investim i madh për vendin tonë”, deklaroi Vuçiç për televizionin proqeveritar Pink TV, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për shitje, por për një qira afatgjatë.

“Sipas tij, projekti do të rrisë vlerën e pronave në Beograd dhe do të tërheqë më shumë turistë, me një vlerë që do të arrijë mbi një miliard euro.”
Jared Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trump, themeloi kompaninë Affinity Global Development pas largimit nga administrata e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



