Ka ndodhur

Protesta kundër masave kufizuese nga Kosova, nën hetim dy organizatorët

Dy organizatorët e protestës një dite më parë në pikën kufitare të Morinit në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë. Së bashku me dhjetëra të tjerë, ata kundërshtuan masat e reja të qeverisë së Kosovës për pandeminë.

Policia e Kukësit thotë se 64-vjeçari R.M. dhe 37-vjeçari M.F, akuzohen për  “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”  dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjatë protestës së djeshme, qytetarët e Kukësit penguan hyrjen e metëve nga Kosova drejt Shqipërisë në pikën kufitare të Morinës.

Qëllimi i protestës ishte heqja e pengesave për lëvizje të lirë të shtetasve shqiptarë, të cilët  nuk mund të hyjnë në Kosovë pa dëshminë e vaksinimit me tre doze, ose me dy doza plus tampon PCR.

Është dashur ndërhyrja e policisë për të larguar protestuesit dhe rinisur qarkullimin normal të mjeteve në kufi.

Vendimi i qeverisë së Kosovës është kundërshtuar në masë dhe mediat në Prishtinë shkruajnë se një masë e tillë do të rishikohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë