Ngjarje

Protesta, Kreu i Kishës Katolike: Dialogu rruga e vetme për zgjidhje

Mesa duket studentët nuk do të ndalen, edhe në ditën e sotme ata kanë marshuar drejt institucioneve qeveritare për të protestuar. Ashtu si shumë personalitete të tjera shqiptare, edhe Kreu i Kishës Katolike, Imzot Xhorxh Frendo apelon me protestën studentore duke qartësuar se zgjidhja e vetme është dialogu.

“Në Konferencën tonë Ipeshkvore kemi thënë se ne inkurajojmë studentët dhe institucionet arsimore dhe universitare në gjetjen e një gjuhe dialoguese për të mirën e të rinjve universitarë”. Në këtë deklaratë nxis dhe lutem sinqerisht që qeveria dhe studentët të zgjedhin rrugën e dialogut. Është rruga e vetmja që do të garantojë paqen dhe një zgjidhje të drejtë”, tha ai.

Gjithashtu ai tregoi eksperiencën e tij kur ka qenë student duke thënë se vetëm falë qeverisë së vendit të tij ai arriti të diplomohej, pasi i kishte vdekur babai dhe ishin shumë të varfër. Kreu i Kishës Katolike shprehet se një ndër prioritetet që vlerësonte më shumë në Shqipëri ishte arsimi dhe do vazhdojë të lutët që qeveria dhe studentët të zgjedhin rrugën e dialogut, pasi është rruga e vetme që do të garantojë paqen dhe një zgjidhje të drejtë.

Kreui kishës katolike, Imzot Xhorxh Fendo

“Jemi shumë të vetëdijshëm se sistemi aktual e bën shumë të vështirë që studentet të përballojnë të gjithë shpenzimet, duke konsideruar jo vetëm paranë që kërkohet nga universiteti, por edhe librat, konviktin, dhe paranë që shumë profesorë të paskrupullt kërkojnë për provimet,por ky fenomen nuk duhet të ndërpresë qëllimet e studentëve dhe të qeverisë,” shprehet ai

Në këto ditë prag festash të fundvitit, Imzot George Frendo thotë se të gjithë duhet të kërkojnë rrugën e së vërtetës dhe të drejtësisë nëpërmjet dialogut më shumë sesa rrugën e konfrontimit.

“Pas disa ditësh të krishterët do të kremtojnë lindjen e Krishtit, dhe të gjithë shqiptarët do të kremtojnë Vitin e Ri. Çfarë domethënie do të kenë urimet tona “Gëzuar Krishtlindjet” ose “Gëzuar Vitin e Ri” në këtë situatë të tensionuar? Dialogu është dialog, jo monolog. As është dialogu thjesht një kompromis. Dialogu përfshin një dëgjim të sinqertë, më vullnet të mirë që të gjejmë rrugën e së vërtetës dhe të drejtësisë. Le të kërkojmë rrugën e së vërtetës dhe të drejtësisë nëpërmjet dialogut më shumë sesa rrugën e konfrontimit. I nxis të gjithë besimtarët e të gjitha besimeve t’i drejtohen Zotit, që të ndriçojë të gjithë ata me përgjegjësi për një zgjidhje të drejtë dhe paqësore,” shton ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë