Gazeta Si – Situata e sigurisë në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok mëngjesin e së martës është e qetë, thanë burime nga Policia e Kosovës.
Por edhe sot gjatë ditës serbët lokalë kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat kundër kryetarve të zgjedhur të komunave.
“Nuk kemi ndonjë incident që e kemi regjistruar. Policia është duke kryer detyrat e veta sipas angazhimeve që i ka”, tha për REL, Veton Elshani nga Policia e Kosovës.
Ai tha se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë pranë tri ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Më 29 maj, protestuesit serbë u përleshën në Zveçan me forcat paqeruajtëse të KFOR-it.
Si pasojë e përleshjeve, të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar, sikurse edhe disa protestues.
Një ditë më herët, ushtarët e KFOR-it u përleshën me protestues serbë që refuzuan t’i bindeshin thirrjes së misionit paqeruajtës për t’u larguar nga hapësira pranë komunës së Zveçanit. Rreth 30 ushtarë si dhe dhjetëra protestues u plagosën.
Serbët kundërshtojnë hyrjen në komuna të kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur nga lokalet e 23 prillit.
Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar vendimin e qeverisë së Kosovës që kryetarët e rinj të shkonin në zyrat komunal.
Atyre u është kërkuar që të heqin dorë nga ‘masat e dhunshme’ dhe ‘veprimet e njëanshme’, por nga ana tjetër autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar si legjitime veprimet e tyre në Veri.
Serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen në komuna të kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit.
Ata po ashtu po kërkojnë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i banuar me shumicë serbe.
Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e rinj të shkonin në zyrat komunale më 26 Maj, kur dhe u ngritën tensionet.
Zgjedhjet në veri u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm në nëntorin e kaluar, që të gjithë nga Lista Serbe, për shkak të kundërshtimit të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS, Republika e Kosovës.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe serbët gjerësisht bojkotuan procesin e votimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




