Ka ndodhur

Protesta e ‘Shqipëria Bëhet’ para kryeministrisë, 4 të arrestuar, Lapaj nën hetim

Gazeta Si – Pas protestës së mbajtur një ditë më parë nga “Shqipëria Bëhet” para kryeministrisë, janë arrestuar 4 persona, pasi kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të policisë.

Ata janë indentifikuar si Edison Haklaj, Alfred Matoshi, Eligert Hima dhe Ergys Llanaj.

“U arrestuan shtetasit E. H., 30 vjeç, A. M., 40 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe E. Ll., 41 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. H., A. Sh., E. L., A. B., A. Sh. dhe M. Xh., pasi dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të protestës, kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë, u dëmtuan 2 punonjës policie, njëri prej të cilëve vijon ende në spital”, njoftoi sot policia.

Më tej, në një njoftim tjetër theksohet se në gjendje të lirë do të hetohen edhe 9-të persona mes tyre edhe Adriatik Lapaj, pasi kanë pushtuar hapësirën publike përpara kryeministrisë, duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera, pa leje dhe në kundërshtim me urdhrin e policisë.

Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ zhvilloi protestën e radhës para kryeministrisë më 4 janar, teksa prej një muaji, kreu i saj, Adriatik Lapaj vijon të qëndrojë para selisë së qeverisë, ku bashkë me mbështetës kanë ngritur çadra dhe kanë vendosur karrige para godinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë