Politike

Protesta e pedagogëve, Rama: Asnjë Vetting nuk do të bëhet dhe s’ka rritje pagash

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka thënë se protesta e një pakice pedagogësh po paraqitet si masive nga mediat.

Në një reagim në Tëitter, Rama tha se nuk ka për t’u bërë asnjë Vetting ndaj pedagogëve dhe kjo gjë as nuk është menduar.

“Mediat e angazhuara masivisht për ta paraqitur si masive protestën e një pakice pedagogësh, nën udhëheqjen e nongratave e të SHIK-save të tyre, flasin për gjoja një Vetting që do bëka regjimi imagjinar për pedagogët! Asnjë veting as do bëhet, as është thënë e as është e menduar”, shprehet Rama.

Kreu i qeverisë tha se rritja e pagave për pedagogët nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme.

“Sa për rritjen e mëtejshme të pagave e përsëris, nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme, pas pensionistëve në fundvit dhe pas daljes së dimrit, kur do të bëjmë bilancet e kostove të mburojës së energjisë elektrike, edhe për familjet e pedagogëve që mbrohen nga qeveria”, shprehet Rama.

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar për mbajtjen e një protestë kombëtare paraditen e së enjtes.

Pedagogët kërkojnë rritje të pagës në masën 50% brenda 2 viteve dhe investime në arsimin e lartë.

Kërkesat e tyre për një rritje të tillë pagash janë konsideruar të paarsyeshme nga qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë