Ngjarje

Molotovë dhe gurë për 3 orë, mbyllet protesta e PD-së. Noka: Qytetarët i dhanë sot një leksion qeverisë (pamjet)

Nga Gazeta 'SI' - Gazi lotsjellës dhe uji ka larguar protestuesit demokratë, të cilët pas kaosit disa orësh i janë rikthyer selisë së Partisë Demokratike. Edhe pse PD kishte marrë leje për 4 orë marshim, aktiviteti është mbyllur për rreth 3 orë.

Demokrati Flamur Noka foli në mbyllje të protestës duke ritheksuar se opozita do të vazhdojë me protesta deri sa qeveria Rama të pranojë kërkesën për qeverinë teknike.

"Kjo ishte dita e parë që mosbinjda civile zbriti në rrugët e Tiranës. Regjimi i tërbuar sot mori një mesazh. Mesazhi ishte “jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhjke qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë paqe asnjëherë. Sot e kuptuan se beteja me qytetarët nuk fitohet me gaz, as me dhunë. Qytetarët i dhanjë një leksion “ne do jemi këtu dhe do vazhdojmë mosbindjen civile derisa të plotësohen kërkesat. Ata janë të tërbuar, janë duke u dridhur sepse forca e qytetarëve u ka kallurr datën. I gjithë shteti në panik. Nuk ndalohet me policie dhe gaz revolta qytetare. Kjo nuk ishte protestë, kjo është revoltë, hapi i parë i mosbindjes civile. Do të jemi në aksion dhe do t’iu njoftojmë", u shpreh Noka.

Çfarë ndodhi në tre orët e protestës së opozitës

Qytetarët marshuan drejt zonave qendrore të Tiranës dhe gjatë rrugës së tyre shkaktuan dëme të shumta. Protestuesit kanë shkatërruar ekranet me reklama në rrugët e qytetit, kanë djegur kosha mbeturinash dhe kanë prishur objekte të tjera publike.

Gjatë marshimit, demokratët ndaluan në të gjitha institucionet qendrore të vendit, nga kryeministria, selia socialiste, bashkia Tiranë dhe blloku i godinave ministrore. Ata shprehën revoltat e tyre duke hedhur molotovë dhe duke u përplasur me forcat policore. Këta të fundit kanë hedhur sasi të mëdha të gazit lotsjellës.

Ndërkohë policia njoftoi se nga këto përplasje janë plagosur 10 efektivë.

Protestuesit në bashkinë e Tiranës

Demokratët janë përballur me gaz lotsjellës gjatë rrethimit të godinës së bashkisë së Tiranës. Në drejtim të tyre është hedhur edhe ujë me piper, me qëllim shpërndarjen e tyre.

Raportohet se një efektiv policie është lënduar nga një molotov.

Protestuesit në selinë e PS-së

Protestuesit janë zhvendosur nga kryeministria në drejtim të Partisë Socialiste, ku kanë hedhur gurë dhe molotovë. Si pasojë, fasada e selisë socialiste është përfshirë nga flakët. Policia i është përgjigjur atyre me gaz lotsjellës që ka rrezikuar edhe punonjësit e medias.

Protesta po udhëhiqet nga demokratët Flamur Noka dhe Gazment Bardhi.

Protestuesit përballë kryeministrisë

Protestuesit kanë hedhur pak çaste më parë molotov dhe fishekzjarre drejt kryeministrisë dhe forcave policore. Nga mjetet e përdorura, një pemë pranë godinës së kryeministrisë ka marrë flakë.

Fillimisht qytetarët janë mbledhur pranë selisë së PD-së, bashkisë së Tiranës, ndërsa grupe të tjera janë pranë bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Aty raportohet se ka pasur dhe një incident, ku protestuesit kanë djegur një gomë. Debate ka pasur edhe midis protestuesve e forcave policore, si edhe me drejtuesit e mjeteve të rastësishme.

Pjesë e protestës janë bërë edhe studentët të cilët marshojnë me pankartën "Pakti për vdekjen e Universitetit".

Tirana është "blinduar" nga forcat policore, në pritje të zhvillimit të protestës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë