Politike

Protesta e PD, Rama: E vetmja parti në botën demokratike që ushtron dhunë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së dytë kombëtare të zhvilluar nga Partia Demokratike të martën.

Duke ndarë një foto të sendeve me të cilat janë sulmuar punonjësit e policisë, ai shkruan se forca më e madhe opozitare në vend është e vetmja Parti Demokratike në botë që ushtron dhunë.

Ai shpreson që agresorët të përgjigjen para organeve të drejtësisë, duke theksuar se “bombat artizanale” ose “armët me kapacitet vdekjeprurës”, lënduan efektivët.

“Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës!

Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë