Nga Gazeta Si- U mbajt sot protesta e radhës nga opozita para bashkisë së Tiranës. Ashtu si edhe në herët e kaluara, protesta nisi në orën 11:00 dhe përfundoi për rreth 1 orë për shkak të temperaturave të larta.
Prej javësh opozita, por dhe përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit protestojnë para bashkinë, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj pas arrestimeve për dosjen 5D.

Opozita ka intensifikuar denoncimet ndaj SPAK, duke e cilësuar tashmë edhe si një organizatë kriminale.
“Kush ka shpresë tek një organizatë kriminale si SPAK që do të bëjë drejtësi, e ka gabim. Ata janë partnerë në krim bashkë me McGonigalët e tyre. Po të kishte drejtësi, Erion Veliaj do të ishte në burg”, tha këshilltari i PL-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi.
Blushi ka folur sërish për përleshjen fizike në këshilltarin socialist Halit Valteri.
“Këtyre horrave do ti tregojmë vendin. Një kryebashkiak që vjen me antiplumb nuk është trim. Trima jeni ju, sepse në zemrat tuaja janë mijëra e mijëra patriotë që do ti tregojnë vendin këtej regjimi. Më mbyllën 5 orë në komisariat dhe menduan se do më trembnin aty, por e kanë marrë përgjigjen të gjithë narkopolicët. Duke zbritur nga shkallët takova një polic, që është këtu, por nuk e identifikoj dot. E di si më tha? E di ti pse ne vijmë me kasketa? Sepse kemi turp ti dalim fëmijëve përpara, kemi frikë se kur të shkojnë në shtëpi do na pështyjnë prindërit tanë”, tha Tedi Blushi.
Ndërsa Belind Këlliçi e quajti SPAK partnere e partisë socialiste.
“Çfarë ka bërë SPAK dhe me ato 8 masa të lëshuara së fundmi? Nuk kanë guxim të përmendin emrat e drejtuesve të vërtetë të inceneratorëve. Ne nuk do të ndalemi, ne do jemi në shesh, do jemi përpara zyrave të organizatës partnere të Partisë Socialiste. Do jemi përpara SPAK për të denoncuar çdo javë aferat e kësaj Bashkie të pashembullta e të panumërta, përpos temperaturave të larta edhe reagimi ynë do të jetë i lartë”, tha Këlliçi.
Kreu i këshilltarëve opozitarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti tha se ata nuk do të tërhiqen deri në arritjen e objektivit.
“Ne do të qëndrojmë dhe nuk trembemi. Tirana dhe Shqipëria e di se kush ka abuzuar dhe kush ka vjedhur taksat e Tiranës. Ndaj Veliaj dhe ekipi i tij do mbajnë përgjegjësi. Prokuroria duhet të flasë. Mjaft më SPAK duke u marrë me cironkat, le të merret me peshkaqenët e vërtetë. Dhe ata kanë emra dhe mbiemra. Ndaj qytetarë të dashur, rezistenca është mjeti demokratik më i mirë për të vazhduar qëndresën tonë deri në zbrazjen e kësaj godine dhe më pas të të gjitha godinave të tjera të shtetit nga hajdutët dhe të korruptuarit. Ndaj miq të rezistojmë, siç jemi sot deri në arritjen e objektivit tonë, Erion Veliaj larg zyrave të bashkisë dhe pranë zyrave të burgut. Mjaft është mjaft. Mjaft ka vuajtur Tirana. Mjaft ka vuajtur Shqipëria. Qytetarët të marrin fatin e tyre në dorë me mjete demokratike”, tha Teliti.

Ndërkohë në protestë nuk kanë munguar as hedhjet e vezëve drejt bashkisë por kanë munguar molotovët dhe flakadanët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



