Politike

Protesta e PD, debat në Kuvend, Balla: Berisha, Ajatollahu i fundit në Europë

Nga Gazeta ‘SI Ligjvënësit u rikthyen pasditen e sotme në sallën e Parlamentit, ku në qendër të debatit ishte protesta e së shtunës në mbrëmje, e organizuar nga Partia Demokratike.

Deputeti socialist Taulant Balla e krahasoi situatën në Teheran me atë në Tiranë dhe e cilësoi kryetarin e PD-së, Sali Berisha, si “Ajatollahun e fundit në Europë”.

Balla deklaroi se, ndërkohë që SHBA dhe Izraeli godisnin Iranin, Berisha sulmonte vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, ku sipas tij ndodheshin artistë. Aktualisht, ajo vilë funksionon si qendër kulturore.

“Qeveria shqiptare, përmes kryeministrit, e ka bërë të qartë mbështetjen ndaj ndërhyrjes së SHBA-së dhe Izraelit në një sulm parandalues ndaj Iranit. Po ashtu, Rama ka shprehur solidaritetin e plotë të Shqipërisë me vendet e Gjirit Persik që janë kthyer në shënjestër të regjimit në shkatërrim e sipër të Ajatollahëve në Iran. Kryeministri ka biseduar sot me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ka shprehur solidaritet edhe me vende të tjera mike. Ka pasur gjithashtu sulme ndaj Qipros. E mirëpresim propozimin tuaj për të pasur një qëndrim, por besoj se ai ka qenë i qartë, në të njëjtën linjë me atë që presidenti Trump konfirmoi, se objektivi i SHBA-së ishte mbrojtja e popullit amerikan dhe vendeve aleate, duke eliminuar kërcënimet e regjimit iranian. Ndërkohë që SHBA dhe Izraeli godisnin objektivat e regjimit të Ajatollahëve, ‘Ajatollahu i fundit në Europë’, Sali Berisha, urdhëronte sulme ndaj godinave. Në atë godinë nuk ka qenë asnjë prej nesh. I vetmi që mund të hynte dhe të ngrohej pranë zjarrit të diktatorit ishte ‘Ajatollahu’ i partisë suaj. Besoj se sot është dita që, në emër të PD-së dhe në linjë me grupin e partive popullore europiane në Parlamentin Europian, siç është shprehur edhe McAllister, të distancoheni nga dhuna”, tha Balla.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, replikoi me Ballën, duke iu përgjigjur thirrjes për t’u distancuar nga protestat e dhunshme dhe akuzave për sulmin me molotov ndaj vilës së Enver Hoxhës, ku sipas socialistëve ndodheshin artistë.

Bardhi deklaroi se PD distancohet nga dhuna, por jo nga denoncimi i korrupsionit.

“Ne distancohemi nga dhuna e korrupsionit, nga politikanët e lidhur me krimin e organizuar. Distancohemi nga çdo përpjekje për të normalizuar një situatë që po e çon Shqipërinë shumë hapa pas. Të marrësh në foltore vetëm një pjesë të deklaratës së kreut të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian dhe të injorosh thirrjet për t’u distancuar nga korrupsioni dhe për të mos vonuar përballjen me drejtësinë, është e papranueshme. Ne nuk rrimë në paradhomën e Ramës për të ditur çfarë bëhet me pronat publike. Fakti që një pronë publike i është kaluar për menaxhim një fondacioni francez u mësua vetëm pas protestës së 28 shkurtit”, u shpreh Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë