Nga Gazeta 'Si'- Policia e Tiranës ka reaguar për protestën e thirrur nga opozita ditën e sotme në kryeqytet, ku pritet bllokimi i 5 akseve kryesore rrugore.
Policia e Tiranës ka bërë të ditur se PD ka kërkuar leje për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të kësaj të marte, megjithatë ajo tha se mbajtja e këtyre tubimeve në disa segmente rrugore krijon probleme.
“Organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftim, Policia e Tiranës thekson se bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.
Policia njofton se për të ndihmuar qytetarët në rast bllokimi, do të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Akset që opozita ka kërkuar të bllokojë janë: Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.