Ka ndodhur

Protesta e opozitës para Kuvendit, arrestohen dy persona. Një tjetër në kërkim

Gazeta Si - Dy persona janë arrestuar dhe një i tretë është shpallur në kërkim për protestën e opozitës para Parlamentit pasditen e së hënës.

Njëri prej të arrestuarve ishte person i shpallur në kërkim nga Policia e Krujës. Ndërkohë që dy punonjës policie kanë pësuar lëndime gjatë përplasjes me protestuesit.

Konkretisht, në pranga të policisë kanë rënë 36-vjeçari J.D., banues në Tiranë, i shpallur më herët në kërkim nga Policia e Krujës dhe 19-vjeçari D.P., banues në Thumanë.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe u procedua në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një 16-vjeçar, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. A., 30 vjeç.

"Këta shtetas, gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, kanë kryer veprime të kundërligjshme dhe kanë hedhur lëndë piroteknike (flakadanë dhe kapsolla) në drejtim të shërbimeve të Policisë në detyrë. Si pasojë e këtyre veprimeve, janë dëmtuar 2 punonjës policie, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën", - njoftoi policia.

Opozita e zhvilloi betejën e saj në dy fronte, jashtë me qytetarët që kishte thirrur në protestë dhe brenda me deputetët në seancë plenare.

Tensionet nisën teksa në hyrje të Kuvendit, Garda nuk lejoi të futeshin në sallë deputetët e përjashtuar nga seanca plenare.

Ndalimi i tyre u bë shkak që protestuesit të përplaseshin me policinë duke tentuar të çajnë kordonin e uniformave blu, që u pasua nga hedhja e flakadanëve dhe lëndëve piroteknike.

Ndërkohë, mes përplasjesh e debatesh të shumta, është zhvilluar në mënyrë të cunguar seanca parlamentare në Kuvend të hënën.

Për rreth dy orë kanë vijuar përplasjet në Kuvend, paralelisht me protestën që po zhvillohej jashtë, të dyja me të njëjtin qëllim, çështjen McGonigal.

Vetëm pesë minuta pas nisjes së seancës, në Parlament u ndërpre energjia elektrike dhe kjo si pasojë e djegies së një pajisje e cila furnizonte me energji sallën e seancave.

Por problemet brenda në Kuvend nuk morën fund me kaq. Menjëherë pas rinisjes së seancës, teksa deputetë të ndryshëm morën fjalën, nuk mungoi ndërhyrja e Berishës, i cili disa herë detyroi drejtuesen e seancës Lindita Nikollën të ndërpresë vijueshmërinë e seancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë