Politike

Protesta e opozitës mbyllet për 40 minuta. Policia rrethoi bashkinë e Tiranës, por mungoi gardhi metalik

Nga Gazeta Si- Është mbyllur për 40 minuta protesta e 13-të e opozitës para bashkisë së Tiranës.

Ndryshe nga herët e tjera, godina nuk ishte e rrethuar me gardh metalik, por vetëm me efektivë policie. Efektivët u vendosën vetë në rresht, duke bllokuar hyrjen e bashkisë së Tiranës. Që në nisje të protestës, qytetarët kanë hedhur molotov drejt bashkisë, duke detyruar policinë që të përdorë bombulat zjarrfikëse për të fikur zjarret që lënë molotovët.

Deputeti Klevis Balliu tha se protesta do të vazhdojë derisa kryetari i bashkisë Erion Veliaj të japë dorëheqjen.

Ndërsa Belind Këlliçi tha se kjo protestë shënon një rekord europian.

“Një mirënjohje e jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët e Tiranës që vijnë në këtë protestë e cila shënon një rekord evropian. Kjo është protesta e 13 që bëhet përpara zyrës së një kryebashkiaku në Europë, përpara zyrës së një hajduti që jo vetëm ka hyrë në historinë e e këtij qyteti si hajduti më i madh i taksave dhe i votave që ka pasur ndonjëherë ky qytet, por me talljen që ai po i bën SPAK-ut, me poshtërimin që po i bën çdo ditë Altin Dumanit personalisht, ky njeri ka hyrë në historinë tonë si personi që ka shkelur me këmbë dhe ka rrëzuar reformën në drejtësi”, tha Këlliçi.

Kujtojmë se opozita dhe Aleanca për mbrojtjen e Teatrit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj si i përfshirë në dosjen 5D.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë