Politike

Protesta e opozitës, thasë me mbeturina drejt bashkisë. Këlliçi sulmon ambasadorin e BE dhe Mogherinin e quan komuniste

Nga Gazeta Si- Opozita ka organizuar protestën e radhës ditën e sotme, protestë që vijon prej 6 muajsh tashmë. Ndërkohë që kanë hequr dorë nga tensionet dhe flakadanët, protestuesit ditën e sotme kanë shkuar para Bashkisë Tiranë me qese me mbetje në duar, simbol sipas tyre i plehrave të pa mbledhura në qytet.

“Plehrat që janë nëpër Tiranë meritojnë të shkojnë drejt zyrës por kjo nuk është zgjidhje. Zgjidhje është të nxjerrim plehrën nga zyra”, tha Klevis Balliu ndërsa protestuesit por edhe anëtari i këshillit bashkiak si Tedi Blushi, po hidhnin thasët me mbeturina drejt bashkisë.

Ndërkohë, opozita ka vijuar me akuzat drejt ndërkombëtarëve.

Ishte fillimisht Tedi Blushi i cili tha se “të gjithë ata gjoja evropiane të korruptuar kanë shkelur mbi vlerat e bashkimit evropian dhe ftojnë të flasë para studentëve, modelin me të shëmtuar për të rinjtë shqiptarë”, referuar ceremonisë së hapjes së Kolegjit Europian në Tiranë, ku Erion Veliaj mori fjalën.

“Sot ne duhet të japim një mesazh dhe gjithë këtyre diplomatëve të korruptuar që vijnë e japin leksione popullit më patriotik të Evropës. Shqipërinë do ta bëjnë shqiptarët dhe nuk ka Mcgonigal dhe çdo zyrtar të korruptuar evropian apo amerikan që mund të vrasë ëndrrat  e tyre”, tha Blushi.

Më pas foli Belind Këlliçi.

“Dita e sotme ka nisur me një aktivitet të shëmtuar, ku regjisor kryesor është ambasadori i BE, Gonzato, i cili ditën e sotme do u shesë të rinjve ekselentë të Tiranës si model suksesi Erion Veliajn, një hajdut ordiner, një mbeturinë njerëzore dhe politike, i cili është në hetim për vjedhje.

“Një njeri që ka betonizuar Tiranën, që ka shkatërruar qytetin e Tiranës, ka shkatërruar Teatrin Kombëtar dhe këtë njeri, zyra e delegacionit të BE, së bashku me një komuniste si Federica Mogherini e shesin si simbol suksesi. Mos vallë zyra e BE nuk e di që ky hajdut është në hetim pasuror? A mos nuk e dini se gjysma e stafit të tij kanë vjedhur vota dhe janë në burg?”, tha Këlliçi.

Nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti në fjalën e tij përpara protestuesve tha se dy godinat që duhet të zbrazen urgjentisht nga revolta popullore është godina e kryeministrisë dhe kjo e bashkisë së Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë