Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë të "arrestit shtëpiak" për protestuesin e dytë të arrestuar për bllokimin e rrugëve gjatë protestës së zhvilluar nga opozita.
Shtetasi Sokol Ndoj u ndalua në protestën e 26 nëntorit, i cili akuzohet për "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike", "Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik" dhe "Dëmtime të tjera me dashje".
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë me argumentin se i riu duhet të qëndrojë në këtë masë, pasi rezulton të ketë edhe dy precedent të ngjashëm nga protestat e kaluara. Ndërsa të enjten u lirua me “detyrim paraqitje”, Ilir Ahmedani.
Dy ditë më parë, policia procedoi në gjendje të lirë 80 persona, mes tyre dhe 15 deputetë të opozitës.
Për afro 3 orë, opozita protestoi mbrëmjen e djeshme duke bllokuar 5 akset kryesore në kryeqytet para Bashkisë së Tiranës, sheshin “Willson”, rrethrrotullimin e Zogut të Zi, Pallatin me Shigjeta dhe kryqëzimin e rrugës së Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.