Politike

Berisha rikthehet të udhëheqë demokratët në protestën e opozitës. Policia: Bllokimi i rrugëve, përgjegjësi penale!

Nga Gazeta 'Si'- Opozita do të vijojë sot mosbindjen civile, me protestën e ardhës të thirrur nga Partia Demokratike, protestë e cila do të nisë sot në orën 17:00.

Për herë të parë pas gati një viti, lideri i opozitës, Sali Berisha, pritet të bashkohet me protestuesit në shesh, pasi më 27 nëntor 2024, Gjykata e Posaçme i ka rikthyer lirinë, duke revokuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” në lidhje me dosjen e aferës së privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”.

Për shkak të protestës, disa rrugë në Tiranë do të bllokohen për rreth 3 orë përfshirë: Rrugën pranë Bashkisë së Tiranës, rreth-rrotullimin tek “Zogu i Zi”, sheshin “Wilson”, “Pallatin me Shigjeta”, dhe kryqëzimin tek “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”.

Policia e Shtetit është përgjigjur se garanton çdo tubim paqësor, por jo bllokimin e rrugëve dhe se çdo akt i tillë përbën përgjegjësi penale.

Në përgjigjen e kthyer PD, Policia thotë se në bazë të ligjit “Për Tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat në kryeqytet.

Protesta e fundit e opozitës u mbajt më 26 nëntor, zgjati tre orë dhe paralizoi disa nga nyjet kryesore lidhëse të kryeqytetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë