Ngjarje

Protesta e madhe ndodhi, por fundi nuk dihet

Sabina Veizaj-Në orën 9 të mëngjesit të së martës, studentët protestues të të gjitha fakulteteve bllokuan të gjitha akset kryesore të kryeqytetit për rreth një orë.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/127116051535992/

Studentët e Politeknikut bllokuan rrugën tek kryqëzimi i Piramidës dhe Bulevardit Qendror, Fakulteti i Mjekësisë bllokoi Rrugën e Dibrës tek kryqëzimi i Farmacisë nr 10, Fakulteti i Shkencave të Natyrës bllokoi rrugën e Stacionit të Trenit, Fakulteti i Drejtësisë Sheshin Wilson, Arkitektura Zogun e Zi, sportet kryqëzimin e 21 Dhjetorit dhe Rrugën e Kavajës. Kurse Ekonomiku dhe Gjuhët e Huaja bllokuan rrugën e Elbasanit.
Ora 10:00 i bashkoi gjithë studentët përpara Ministrisë së Arsimit si çdo ditë prej një jave.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/611926352557800/

Teksa Universiteti i Sporteve merrte kthesën për tek rruga e Durrësit, studentët ndaluan.
“Të jemi të bashkuar, asnjë nuk na ndan. Nuk duhet të shpërqendrohemi”- ishte udhëzimi i njërit prej studentëve që fliste në megafon e të tjerët në kor e ndoqën me thirrje “jemi të bashkuar. Nuk jemi të përçarë”- janë thirrjet që janë dëgjuar më shpesh këto ditë nga të gjithë studentët protestues të cilët përpos këmbënguljes për të mos negociuar kërkesat e tyre duke refuzuar dialogun me kryeministrin, kanë qëndruar vigjilentë ndaj frikës për përçarje nga organizatat politike dhe partitë e mundshme.

Ajo që u vu re gjatë protestës së sotshme ishte riaktivizimi në publik i Lëvizjes për Universitetin, përfaqësuesit e të cilëve këto ditë, pavarësisht se kanë qenë në protestë, kanë qëndruar të tërhequr për shkak që të mos hilarizonin situatën.

Edhe në ditën e shtatë kakofonia e megafonëve të linte të kuptoje se protestën nuk e ka marrë ende në dorë dikush apo një grup kryesues.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/2079968225392895/

Të ndarë në disa grupe që reflektonin mendime të ndryshme, studentët bashkoheshin në një gjë, në atë që besohet të jetë shtylla kurrizore e protestës dhe studentët e artikuluan qartë të martën gjatë gjithë ditës “shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë”.

Gjatë kalimit të mikrofonëve dorë më dorë, studentët herë pas here jepnin lajme.
“Sapo kemi mësuar se studentët e Elbasanit nuk po vijnë dot. Janë kërcënuar shoferët e autobusëve dhe në stacion nuk gjendet asnjë autobus”.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/1980084868744339/

Ndërkohë që protestës iu bashkuan studentë të universiteteve private: “UET”, “Albanian University” dhe “Luarasi”. Në mes të studentëve protestues të zinte syri edhe pedagogë të universiteteve private, prindër, gjyshër dhe pensionistë. Shumë syresh, kryesisht nëna dhe gjyshe, pavarësisht se kishin ose jo fëmijë në protestë, erdhën me qeska me ushqime dhe fruta për t’ua shpërndarë studentëve “Janë e ardhmja jonë, po ngrihen edhe për ne. Kemi sjellë pako gjëra për t’iu lagur fytin se janë lodhur. Kauza e tyre është e drejtë”




Gjatë protestës, studentët orator deklaruan se Unioni Europian i Studentëve ka deklaruar mbështetjen ndaj tyre. Nëna e studentit Klevis Kolasi solli 200 sanduiç për studentët.
Gjithashtu edhe Tifozët Kuq e Zi përveçse kishin deklaruar përkrahjen, thanë se do ti bashkoheshin protestës. Ata iu bashkuan protestës rreth orës 5 pasdite me flakadanë ndër duar.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/577504722710345/

Më herët gjatë mesditës Kryeministri tentoi sërish një ftesë për të dialoguar me studentët në sallën e parlamentit, por ata kundërshtuan gjatë gjithë kohës të vendosur se nuk ka negociata, nuk ka dialog derisa të plotësohen kërkesat dhe vetë studentët të shohin VKM-të me sytë e tyre.

“Oh si nuk kam një grusht të fort ktij sistemi të kalbur mu në zemër me ja ngjesh”, “It’s a fucking mess bro’ …, let’s clean it up”, “Vetting për pedagogët”, “Ligji i Fizikës thotë: Jo të gjithë mund të mësojnë fizikën, Por me 500 euro të gjithë mund të kalojnë provimin me Partizanin” , “Our dremas that can not breathe”, “Nuk bie rrufeja në hale”, etj ishin disa nga pankartat që studentët mbanin në duar.

Bizneset rreth rrugës së Durrësit u treguan solidarë me nevojat e studentëve; për karrikim telefonash dhe pankarta.

Por jo çdo gjë kaloi qetë. Pak para përfundimit të orës që studentët e vendosën si ultimatum, disa të rinj herë pas here janë vënë në konflikt me studentët protestues.
Por menjëherë studentët vijonin me moton e tyre “Jo parti politike, jo përçarje, jo organizata politike, ne jemi të bashkuar”

Herë pas here, studentët duke u drejtuar nga kamerat e televizioneve i flisnin kryeministrit duke iu drejtuar nominalisht se afati po mbaronte.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/1030160107187195/

Të injoruar sipas tyre deri në momentin e fundit pavarësisht ultimatumit dhënë kryeministrit, studentët u përballën me pa vendosjen e tyre. Tre ishin skenarët që ata po diskutonin; përshkallëzimi i protestës të përvijonte përpara kryeministrisë, të bllokonin Zogun e Zi apo të qëndronin aty ku ishin, përpara Ministrisë së Arsimit.
Tek hyri muzgu dhe nisi të errësohej, Ministria çeli dritat. Në atë moment studentët u irrituan dhe nisën të gjuan drejt dritareve me shishe uji dhe vezë. Ndërsa policët vazhdonin të qëndronin gardh rreth hyrjes së ministrisë ashtu si prej ditës së parë të protestës.

Burime brenda ministrisë thanë se në hyrjen e brendshme ishin shtuar efektivët e policisë dhe në çdo kat ka efektivë civilë rreth 15 të tillë në total.

Kryeministri duke parë pavendosmërinë e studentëve, pas skadimit të ultimatumit në orën 16:00, në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka shkruar “Gjithçka na duhet është të flasim – Parrulla e njërës prej protestave më madhështore të vitit 2018 në Europë…”. Ai ka postuar edhe një foto nga protesta e zhvilluar kohë më parë në Spanjë për Katalonjën.
Ndërsa një grup studentësh iu drejtuan Zogut të Zi, pjesa tjetër thërriste për përshkallëzim protestash përpara Ministrisë së Arsimit.

Rreth orës 6 : 10 pm të dy grupet e ndarë të studentëve si ata të Zogut të Zi, edhe ata të Ministrisë së Arsimit iu drejtuan kryeministrisë.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/630459670685434/

Në të njëjtën kohë furgonët e policisë u nisën menjëherë pas tyre .


Studentët shpreheshin ndërkohë se nuk do të ndaleshin derisa të plotësoheshin kërkesat e tyre, të cilat i kanë shpallur si kushtetutë të studentëve. Në të kundërt Grevë Urie.. Por kur për nesër nuk dihet asgjë se çfarë do ndodh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë