Ne rrjet

Protesta e dhunshme në Beograd / Disa policë të plagosur rëndë, 35 protestues të arrestuar

Nga Gazeta ‘Si’-Protestat e opozitës që kërkojnë anulimin e zgjedhjeve në Serbi, janë shoqëruar me përleshje të dhunshme.

Në Beograd, protesta e opozitës përfundoi në orët e vona të së dielës(25 dhjetor), dhe të paktën 35 protestues janë arrestuar me akuzën e përpjekjes për të sulmuar institucionet.

Për të shtatën ditë radhazi, “Serbia kundër dhunës”, grupi kryesor i opozitës, kishte organizuar një protestë antiqeveritare për të denoncuar mashtrimet e supozuara në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Pavarësisht se policia gjendej brenda objektit, dera e Kuvendit të Serbisë u thye ndërsa policia ka hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Protestuesit thyen xhamat që gjendshin në dyert e Kuvendit, por edhe dritaret. Pas incidenteve para Kuvendit serb, përmes një adresimi për publikun presidenti serb Aleksander Vuçiç tha se autoritetet nuk do të lejojnë që protestuesit të shkatërrojnë vendin.

“Asnjë revolucion nuk është në progres, asgjë nuk do të ketë sukses. Ne do të përpiqemi të mos lëndojmë askënd me një reagim të butë dhe të qetë”, tha ai.

Ai thirri mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Pas takimit, ai ka bërë të ditur se dy policë kanë mbetur të plagosur rëndë, ndërsa njëri mezi ka mundur të ndalojë gjakderdhjen si pasojë e goditjeve.

Vuçiç theksoi se është tentuar të merren me dhunë institucionet e Serbisë, shkruajnë mediat serbe.

“Deri tani janë arrestuar mbi 35 banditë. Aksioni vazhdon dhe nuk do të ndalet. Identiteti i disa personave është duke u përcaktuar në këto momente dhe të gjithë do të arrestohen gjatë natës”, tha Vuçiç.

Siç ka shtuar ai, në një minutë e gjysmë të gjithë ikën kur u shfaq xhandarmëria, duke theksuar se shtetit të Serbisë i kanë shkaktuar dëme të mëdha.

Sipas kryetarit të bashkisë së Beogradit në largim, Aleksandar Sapiç , ajo që ndodhi të dielën në mbrëmje në Beograd mund të krahasohet me kryengritjen e Maidanit të vitit 2014 në Kiev, e cila filloi me protestat antiqeveritare të fillimit të vitit 2014 në sheshin qendror të kryeqytetit ukrainas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë