Politike

Protesta e Berishës nuk e pengon. “Ballkani i Hapur” nis me një darkë peshku të Ramës, Vuçiç dhe Zaev, i bashkohet edhe Alex Soros

Protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër Ballkanit të Hapur nuk pritet që të pengojë punimet e samitit të radhës të Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev.

Sipas njoftimit të ish-Kryeministrit Berisha, protesta do të nisë në orën 16:00 në selinë e Partisë Demokratike dhe më pas do të zhvendoset para Kryeministrisë. Rreth këtij orari parashikohet sipas agjendës së Ballkanit të Hapur që të akomodohen në Hotel Rogner, ngjitur me Kryeministrinë delegacionet e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe të përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë që do të marrin pjesë në punimet e Ballkanit të Hapur.

Më pas, në orën 18:30 delegacionet do të nisen në drejtim të Elbasanit për darkën zyrtare në “Fish City”.

Me kaq mbyllet dita e parë, ndërsa të martën agjenda planifikon nisjen e punimeve që në orën 09:00 në Pallatin e Brigadave me takimin e shkurtër Rama-Vuçiç-Zaev dhe në 09:30 nisja e sesionit plenar, të cilit do t’i bashkohet edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Rreth mesditës së të martës është parashikuar nënshkrimi i pesë marrëveshjeve. Marrëveshja e parë përcakton kushtet e liberalizimit të tregut të punës në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja e dyta ka të bëjë me skemat e ndërlidhjes për identifikimin elektronik të qytetarëve dhe njohja e ndërsjellë e tyre.

Marrëveshja e tretë lidhet mes tri vendeve për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, ushqimit dhe fitosanitarisë, ku Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të njohin certifikatat e sigurisë të lëshuara nga autoritetet përkatëse.

Marrëveshja e katërt dhe e pestë kanë të bëjnë me njohjen e certifikatave të sigurisë që ofrohen për operatorët ekonomikë.

Në orën 13:00 është parashikuar konferenca e përbashkët për shtyp e Ramës, Vuçiç dhe Zaev. Konferenca është parashikuar rreth 60 minuta dhe ajo i lë vendin drekës zyrtare, që përmbyll këtë samit të Ballkanit të Hapur.

Veç Ramës, Vuçiç dhe Zaev dhe delegacioneve përkatëse të qeverive të tre vendeve, në këtë samit do të marrë pjesë edhe këshilltari i Këshillit të Atlantikut, Jim O’Brien dhe nga Fondacionet Shoqëria e Hapur, Alex Soros.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë