Banorë të “5 Majit”, Laprakës dhe Paskuqanit, banesat e të cilave janë prishur nga IKMT pa arritur një akt-marrëveshje të pranueshme me Bashkinë e Tiranës i janë drejtuar të mërkurën derës së Presidencës.
Banorët kërkojnë që të kompensohen nga shteti dhe të kenë një marrëveshje me qeverinë.
Në anën tjetër, Ministri Arben Ahmetaj ka premtuar se ata do të marrin kompensim të plotë, si ata që janë në proces legalizimi, si ata që kanë çertifikate pronësie ashtu edhe ata banesat e të cilëve janë kategorizuar si të palegalizueshme.
Por ajo që banorët nuk po gjejnë zgjidhje është akt-marrëveshje që atyre u është ofruar nga Bashkia e Tiranës duke e konsideruar si të njëanshme, ndërkohë që banesat u janë prishur .
Banorët kanë intensifikuar protestat ndërsa të mërkurën patën një takim edhe me Presidentin Meta.
“Banorët më deklaruan se janë të hapur ndaj zhvillimit urban dhe përmirësimit të infrastrukturës së Tiranës, por ata nuk mund të braktisen dhe të lejojnë që interesat okulte të shkelin të drejtën e tyre jetike pronësore duke u shkatërruar pronat, pa kontrata dhe garanci të rregullt ligjore.
Duke vlerësuar shqetësimet e tyre, i garantova se do të bëj gjithçka që zëri i tyre të dëgjohet me ndjeshmërinë më të madhe njerëzore dhe zyrtare, me të gjithë mbështetjen time të plotë institucionale, për të legjitimuar kërkesat e tyre që meritojnë të marrin përgjigjen e duhur nga organet përkatëse administrative e ligjore.
Beteja demokratike për një shoqëri të drejtë dhe mos lejimin e kapjes së shtetit ka nevojë për ndërgjegjësimin e opinionit, zbatimin e drejtë të ligjit dhe unifikimin e të gjithë faktorëve të shoqërisë shqiptare që kërkojnë zhvillim e prosperitet”, tha Meta pas takimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.