Kosova

Protesta dhe tensione Kosovë-Mali i Zi pas arrestimit të një ekstremisti malazez në Gazimestan

Arrestimi i shtetasit malazez Risto Jovanoviç, katër ditë më parë në Kosovë, mund të shkaktojë thellim të krizës së brendshme politike në Mal të Zi, që përveçse komplekse, mund të acarojë dhe marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Malit të Zi.

Policia e Kosovës e arrestoi Jovanoviçin më 28 qershor në Gazimestan, gjatë përkujtimores së Vidovdanit, pasi, siç pohoi policia, ai kishte brohoritur thirrje nacionaliste dhe kishte përdorur gjuhë që nxit urrejtje.

Para gjykatës në Prishtinë, ai i mohoi këto pretendime të prokurorisë. Megjithatë, gjykata i dha 30 ditë paraburgim.

Për shkak të arrestimit të tij në Kosovë, në Mal të Zi, për të tretën ditë me radhë, kanë protestuar dhjetëra qytetarë pranë ndërtesës së qeverisë malazeze, ku njoftuan se do të radikalizojnë protestën “nëse qeveria nuk bëhet më aktive sa i përket këtij rasti dhe nëse Jovanoviç nuk lirohet”.

Duke folur për pasojat e mundshme të këtij rasti në raportet midis Kosovës dhe Malit të Zi, analisti politik nga Prishtina, Agron Maliqi, nuk e përjashtoi mundësinë që gjërat të shkojnë në drejtim negativ. “Kur diçka bëhet çështje e politikës së brendshme në një vend dhe e presionit politik, gjithçka është e mundshme, sidomos në kontekstin e një brishtësie shumë të madhe të Qeverisë së atjeshme (të Malit të Zi)”, është shprehur ai për REL.

Pas arrestimit të Jovanoviçit, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, njoftoi më 28 qershor se Ambasada e Malit të Zi në Kosovë kishte kontaktuar me autoritetet në Kosovë dhe tha se do të merrte masa për të mbrojtur shtetasin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë