Dy liderët kryesorë të partive kryesore të opozitës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi lëshuan apel ndaj qytetarëve për të marrë pjesë masivsht në protestën e së shtunës, e teta kombëtare. Të shtunën në ora 19:00 opozita ka thirrur protestën e saj, e cila kësaj here realizohet në një situatë tjetër, pas skandalit të audiopërgjimeve të publikuar nga gazeta gjermane “Bild”, të bisedave të kryebashkiakut Vangjush Dako dhe drejtues të të tjerë lokalë të qarkut të Durrës me përfaqësues të botës së krimit tw organizuar, ku flitet pwr shitblerje votash.
I pari që doli në një konferencë për shtyp ishte kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili nga selia blu iu referua pikërisht audiopërgjimeve të botuara në media. Sipas tij në krye të PS-së dhe të opozitës, Edi Rama bashkëpunimin me krimin e ktheu në një model politik dhe rekrutoi që në opozitë figura të krimit dhe të malavitës kudo në Shqipëri dhe krijoi një aleancë të fuqishme PS-krim me anë të së cilës ai mori pushtetin politik në vitin 2013.
“Bashkë me Edi Ramën në pushtet erdhën me dhjetëra krerë rajonalë të krimit, disa duke u bërë direkt deputetë në Kuvend dhe funksionarë shtetërore, të tjerët morën fuqinë për të komanduar pushtetin në zona të ndryshme të vendit. Që ditën e parë, pushtetin e Kryeministrit, Edi Rama e përdori për ta fuqizuar modelin e ortakërisë krim-politikë në shkallë kombëtare. Madje ai e ngriti atë në një nivel të ri, duke e shkrirë një krimin dhe politikën. Sikurse e pa gjithë bota, në Durrës, sot nuk ka më asnjë dallim dhe asnjë vijë ndarëse mes krimit dhe Partisë Socialiste dhe institucioneve të pushtetit që kontrollon PS. Bandat janë shtabe elektorale të Partisë Socialiste, kokat e krimit konsiderohen si shefa të tyre nga administrata publike, bandat caktojnë dhe marrin përfaqësuesit e tyre në Kuvend me siglën e PS-së, ndërsa drejtues socialistë koordinojnë cdo veprim politik me kriminelët. Kjo gjendje nuk është kapje e shtetit nga krimi, është shkrirje e shtetit dhe krimit në një”, deklaroi Basha.

Kryedemokrati theksoi se me kriminelët dhe të fortët nuk mund të përdorësh standarde perëndimore dhe se sytë e gjithë botës janë drejtuar nga Shqipërisë për mënyrën se si do të zgjidhin krizën.
“Askush nuk duhet të ketë asnjë iluzion. Askush nuk duhet të gënjejë veten asnjë cast. Edi Rama do përdorë çdo pushtet, cdo qindarkë, çdo mundësi për të manipuluar zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe këdo. Ata që mendojnë se Edi Rama mund te kufizohet, mund të refermohet apo mund të emancipohet janë naivë. Edi Rama është i zhytyr në krim dhe nuk ka më as fuqinë morale dhe as mendore për të respektuar as standardet më minimale demokratike politike. Edi Rama duhet të ikë”, theksoi Basha.
Ndërsa ka ftuar qytetarët për një pjesëmarrje masive në protestën e së shtunës. “Boll më me Shqipërinë që duan vetem ata që jane në pushtet. Koha është tani për Shqipërine e gjithë shqiptarëve! Të përfitojnë të gjithe nga pasuritë tona publike! Të ndihen të gjithë zot në shtëpinë e tyre! Të kenë të gjithë shqiptarët mundësi për mirëqënie. Sa më parë të largohet Edi Rama aq më më pak kosto e aq më mirë do jetë për të ardhmen e vendit. Ndaj ju ftoj sonte të dashur bashkëqytetarë, të bashkohemi si asnjëherë me njëri-tjetrin nesër në ora 19 në protestën kombëtare. Bashkimi, pjesëmarrja dhe vendosmëria juaj është forca e pandalshme për çlirimin e Shqipërisë nga regjimi kriminalo-autokatik që ka marrë peng vendin dhe fatet tuaja. Bashkimi, pjesëmarrja dhe vendosmëria juaj për ta cuar këtë betejë drejt fitores së sigurtë, është investimi më krenar për fëmijët tuaj, për të ardhmen e tyre dhe të çdo shqiptari, mirësevini nesër në bashkimin popullor dhe qytetar në orën 19:00 në Tiranë”, deklaroi Basha.
Pas mbylljes së deklaratës së Bashës, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi mblodhi strukturat e partisë saj me qëllim për të sensibilizuar sa më shumë qytetarë në protestën e së shtunës.
Kryemadhi kthehej në jetën aktive politike, pas një operacioni që kaloi në Itali. “Fitova një betejë, një betejë që është shumë e rëndësishme për familjen time, për fëmijët e mi, por mbi të gjitha një betejë e cila vë njerëzit për të kuptuar që jeta ka shumë vlerë, ka rëndësi për njeriun dhe të gjithë jetojmë e punojmë për të pasur një jetë më të mirë, për t’ju shërbyer familjarëve tanë, dhe për të qenë njerëz të devotshëm të shoqërisë dhe shërbëtorë të Zotit”, deklaroi ajo.

Sa i përket protestës Kryemadhi kërkoi angazhim për një pjesëmarrje masive, pasi sipas saj, ajo nuk i takon as LSI-së dhe PD-së. “Protesta e ditës së nesërme është shumë e rëndësishme, sepse pjesëmarrja sa më e madhe e të gjithë njerëzve dhe njoftimi derë më derë i të gjithë komshinjve tanë, miqve tanë, familjarëve tanë, për të qenë pjesë e asaj proteste, sepse vetëm një pjesëmarrje madhështore do të shkundi nga themelet atë mentalitet të kalbur që ka ngelur në mendjen e Kryeministrit të ikur. Beteja jonë nesër nuk është as me uniformën e policisë, as me godinën e Kryeministrisë dhe as me godinat e shtetit shqiptar”, deklaroi Kryemadhi.
Në qëndrimin e saj, kryetarja e LSI-së u shfaq me moderuar, duke lëshuar mesazhe kundër dhunës në protestën e nesërme. “Të mos harrojmë që godina dhe dhuna që ushtrohet ndaj tyre përsëri paguhen me paratë e taksapaguesve tanë. Mos harrojmë që çdo dhunë nuk i jep vlerë protestës, por përkundrazi i jep rolin e viktimës Edi Ramës. Edi Rama nuk është viktima. Viktima janë shqiptarët. Edi Rama është emri dhe fytyra e krimit të organizuar dhe beteja jonë e pandalur dhe pa asnjë kompromis, nuk është as me Partinë Socialiste, nuk është as me institucionet e shtetit shqiptar. Beteja jonë është me krimin e organizuar, i cili ka fytyrën dhe emrin e Edi Ramës dhe kjo betejë nuk do të ndalet deri sa të çrrënjoset njëherë e përgjithmonë. Largimi i Edi Ramës do të sjellë përfundimisht largimin e tranzicionit shqiptar”, theksoi Kryemadhi.
Protesta e opozitës nuk ka një orar të caktuar kohëzgjatje, edhe pse policia sipas burimeve të Gazeta SI i ka dhënë leje për ta mbajtur nga ora 19:00 deri në ora 21:00.
Protesta e fundit, e së dielës ishte dhunshme, ku u lënduan 13 persona, 10 policsë dhe tre shtetas të tjerë. Për protestën e nesërme ambasada amerikane ka njoftuar nëpërmjet faqes zyrtare në internet që të qëndrojnë larg këtij tubimi, pasi edhe në rastet e tjera ato kanë qenë të dhunshme. Sipas saj protesta masive nuk ka një orar të përcaktuar dhe se ajo mund të shtrihet edhe në godinat dhe institucionet e tjera qeverësisë, veç Parlamentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




