Ka ndodhur

Protesta/ Arrestohen 4 persona, procedohen 46 të tjerë, plagoset një efektiv

Policia ka arrestuar 4 persona për marshim-protestën ditën e djeshme (e diel) në Tiranë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Po ashtu Policia ka proceduar në gjendje të lirë 46 persona të tjerë.
Sipas njoftimit të policisë, nga tensionet gjatë protestës një efektiv policie mbeti i plagosur.
Policia gjithashtu informon se protesta e organizuar ishte e paligjshme dhe u shoqërua me goditje me gurë, lëndë piroteknike dhe sende të forta ndaj punonjësve të policisë si dhe gjatë marshimit me dëmtim të kazanëve të mbeturinave, sinjalistikës rrugore dhe vendstacioneve të mjeteve të transportit publik.
Ndër të tjera, Policia e Tiranës apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe u bën thirrje qytetarëve që problematiken dhe shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente, pa krijuar grumbullime, pasi grumbullimet dhe tubimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID -19.m
Ditën e djeshme u mbajt protesta e 5-të për vrasjen nga polici të të riut Klodian Rasha.
Protestuesit ndryshe nga herët e tjera vendosën të mbanin një marshim paqësor që nisi nga sheshi ”Skënderbej”, vijoi tek Kryeministria dhe më tej tek Drejtoria e Policisë Tiranë ku pati tension mes palëve me sende të forta, gaz lotsjellës si dhe ujë me presion.
Tensioni u ripërsërit edhe në sheshin “Skënderbej” rreth pemës së Vitit të Ri ku në të dyja rastet nuk munguan shoqërimet e protestuesve nga Policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë