Bashkëshorti i ish-ministres së Arsimit, Besa Shahini, Dardan Molliqaj është arrestuar sot sërish nga policia e Kosovës pas organizimit të një proteste kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Aktivistë të Partisë Social Demokrate kanë dalë në një protestë të paparalajmëruar prej ditësh në mbështetje të ish-zyrtarëve të lartë të arrestuar nga Gjykata e Hagës. Policia ka arrestuar kreun e kësaj partie, Molliqaj dhe aktivistë të tjerë të PSD-së.
Sapo Trendafilova nisi konferencën e saj në një hotel në Prishtinë, disa persona hynë në sallë duke i fryrë bilbilave. Ata thanë se nuk mund të lejojnë një konferencë të një “përfaqësuese të një gjykate të padrejtë që asnjëherë nuk mund të sjellë drejtësi”.
Pasi u nxorën nga salla, Trendafilova kërkoi rikthimin e tyre, me qëllim që të mund të bënin pyetje. Më pas, Dren Gashi, një prej protestuesve, tha se manifestuesit kanë ardhur për të shprehur shqetësimin e tyre “për daljen e dokumenteve top-sekrete nga Gjykata” gjë për të cilën, sipas tij, qytetarët e Kosovës ndodhen në burg.
Protesta vjen pas publikimit të disa dokumenteve të Gjykatës Speciale, të cilar janë prezantuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për publikimin e tyre, dy prej udhëheqësve të kësaj gjykate, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen nga Dhomat e Specializuara.
“Trendafilova është përfaqësuese e një gjykate të padrejtë që nuk mund të sjellë qetësi, duan ta ndryshojnë historinë e luftës së Kosovës, duke e bërë si një luftë që ka ndodhë në mes të dy agresorëve, e jo si një luftë për liri”, thanë aktivistët e PSD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.









