Kosova

Propozohen tri masa për tejkalimin e krizës ekonomike në Kosovë

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka prezantuar tri masa në seancën e sotme parlamentare, të cilat sipas tij, do ta ndihmonin Kosovën.

Ai tha se jeta e qytetarëve është vështirësuar nga kriza energjetike, kriza e çmimeve dhe pasiguria e përgjithshme globale që u krijua nga lufta në Ukrainë.

“Të gjithë indikatorët tregojnë se jeta e shumë familjeve është vështirësuar. Ne vlerësojmë që është e pashmangshme pakoja për të ndihmuar sikur në kohën e pandemisë. Vonesat në këtë drejtim shtojnë barrën e familjeve. Ne kemi 3 propozime, masa e parë dhe e menjëhershme është të bëhet indeksimi i të gjitha skemave pensionale e sociale me inflacionin. Së paku për të mbuluar produktet bazike”, tha Hoti.

Sipas deputetit të LDK-së, zgjidhje e dytë është subvencionimi në bujqësi.

“Rritja e kostove të imputeve bujqësore shkon edhe qind për qind. Ftoj Qeverinë që të ketë rritje të menjëhershme të subvencionimit në bujqësi. E treta është t’i kthehemi debatit për pagën minimale. Duhet të bëhet indeksimi i pagave në sektorin publik, te gjitha këto masat janë të përballueshme për buxhetin e shtetit”.

Kurse, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se për tejkalimin e krizës së rritjes së çmimeve në tre muajt e fundit janë ndarë 230 milionë euro.

“Për sa i përket rritjes së çmimeve, janë dy faktorë. Rritja e çmimeve në import, që është fenomen botëror, jashtë çdo kontrolli të çfarëdo qeverie dhe e dyta është nga manipulimet që mund të bëhen në emër të këtij inflacioni nga tregtarët. Vazhdimisht kamë dëgjuar se te Qeveria është problemi e jo tregtarët kanë faj”.

Deri më tani kemi marr disa masa, pikë së pari subvencionimi i rrymës që mos të ketë rritje të çmimit për prodhuesit dhe amvisëritë që konsumojnë nën 800kWh.

Janë 45 milionë euro për subvencionimin e familjeve dhe janë 25 milionë euro shtesë që shkojnë për pensionistët për këtë vit. Janë 10 milionë euro për subvencionimin e skemave të asistencës sociale, gjithashtu janë 10 milionë euro për rritjen e rezervave shtetërore. Po ashtu, janë rreth 20 milionë euro për t’i shtuar subvencionet në bujqësi. Pra, gjithsej janë 230 milionë euro në këto tre-katër muajt e fundit për t’i mbështetur qytetarët karshi rritjes së çmimeve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë