Nga Gisela Troplini- Në prag të sezonit veror dhe në fillimin e sezonit turistik bizneset e sektorit të argëtimit dhe shërbimeve po mundohen të rikthehen në normalitet nën masat anti-Covid që janë akoma në fuqi.
Instat raporton përsëri që gjatë muajit prill nëpër hotele, numri i netqëndrimeve ishte më i vogël se sa numri i ditëqëndrimeve, duke “penalizuar” jetën e natës. Në fakt masat që janë akoma në fuqi, por jo plotësisht të zbatueshme janë të parët që penalizuan jetën e natës duke kufizuar lëvzjen dhe operimin e bizneseve pas orës 22:00, rrjedhimisht duke ndaluar plotësisht aktivitetin e klubeve të natës që në orën 22 nisin aktivitetin.
Në një komunikim të Gazetasi.al me Kreun e Shoqatës së Bareve, Restoranteve, Enri Jahja u shpreh se po ndodh një diskriminim biznesi.
“Klubet po paguajnë qira, energji elektrike, ujë, taksa dhe pse janë të mbyllura. Vetëm klubet e natës nuk po funksionojnë, ndërkohë, bar-restorantet e hoteleve që nuk kanë kufizime oraresh po qëndrojnë hapur. Sa herë kemi kërkuar të hapemi, marrim të njëjtën përgjigje: “jemi midis një pandemie”.”,-tha z.Jahja për Gazetasi.al.
Ai thotë se shumë nga klubet mbajnë “peng” stafet e punës ose i kanë dërguar paralelisht të punojnë diku tjetër dhe se kur të hapet klubi do të rikthehen aty.
Kreu i Shoqatës tregon, nëse në rast hipotetik, klubet do të hapenin nesër , dëmi i tyre do të zhbëhej vetëm në vitin 2025 kur mund të rikthehen në nivelet e vitit 2019.
“Humbja është 200%. Nga rreth 50 klube nate që ,mund të jenë, vetëm gjysma e tyre do të mund të rihapen pjesa tjetër ka falimentuar ose janë kthyer në bar-kafe. Dëmi ka qenë më i madh në qytetet e mëdha, ndërsa në rrethe mund të ketë pasur dhe devijanca.”
Lidhur me një eksperiment që po ndodh së fundmi në Itali me klubet e natës, ku do të pranohen klientë të vaksinuar ose do të kryejnë tamponin para dhe pas argëtimit në klub z.Jahja nuk e konsideron risi, ai tregon për një tjetër eksperiment autentik të Shoqatës në vendin tonë.
“Të bësh tampon para dhe pas klubit nuk është risi. Përgjigjja e një tamponi zgjat 24 orë. Po nëse dua të shkoj 2 net rresht në klub? Nuk shkoj dot. Ne propozojmë që klubet apo edhe baret me restorantet të mbyllen totalisht për 3-4 javë dhe më pas të hapen duke bërë krahasimin e numrit të infektimeve për të kuptuar që nuk vjen e keqja nga klubet. Këtë e kemi thënë që kur infektimet nga Covid ishin në pikun e tyre. Por në pamë fushatën, shohim stacionet e autobuzëve, qendrat tregtare.”
Sipas z.Jahja, një klub nuk do të kishte sens me maska apo masa. Përveç argëtimit, njerëzit aty socializohen dhe kjo do ndryshonte nëse hapja do të bëhej me masa.
“Janë disa gjëra që bëhen me zemër”,-tha ai.
Kreu i shoqatës, z.Jahja tregon për Gazetasi.al se ata po presin sezonin turistik të hapen sipas qeverisë, por sezoni turistik ka nisur dhe janë ende pa udhëzime, ndonëse drejtuesit e klubeve vazhdojnë të ankohen.
Ai shton se ka shumë qytetarë që kërkojnë rihapjen e klubeve dhe e kontaktojnë atë vazhdimisht duke treguar se ne ditët në vazhdim, nën masat e vendosura, në qytetin e Durrësit do të hapet “Cinco Cavalli Summer Club” si çdo verë tjetër, në ambjentet e jashtme buzë detit, por deri në 22.00.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.