Taksa

Propozimi: Kush punon nga shtëpia të taksohet më shumë

Personat që do të punojnë nga shtëpia, edhe pas përfundimit të pandemisë duhet të paguajnë më shumë taksa. Propozimi mbërrin nga ekonomistët e "Deutsche Bank", që sugjerojnë se këto të ardhura të siguruara nga kjo taksë të përdoren për të ndihmuar të papunët dhe punonjësit me paga minimale.

Ekspertët e “Deutsche Bank” e vlerësojnë punën nga shtëpia si privilegj. Niveli i taksës që propozohet prej tyre është 5 për qind e pagës ditore. Ata argumentojnë se kjo taksë në të tillë nivel nuk cenon të ardhurat e tyre mujore për shkak të kursimeve që kjo kategori përfiton nga mungesa e shpenzimeve që kërkon puna nga zyra.

Propozuesit përllogarisin tek këto shpenzime karburantin, biletën e autobusëve, trenave, e deri tek kafja, ushqimi që konsumojnë jashtë, e deri tek shpenzimet për rrobat.

“Duke punuar nga shtëpia, këto shpenzime reduktohen ndjeshëm”, thuhet në raport.

Raporti është hartuar nga njësia e kreditimit e bankës gjermane, që ka përllogaritur edhe shumën se sa mund të krijohet fondi i kësaj takse në vende të caktuara. Sipas studimit, në SHBA do të krijohet një fond prej 49 miliardë dollarë në vit, në Gjermani 20 miliardë euro dhe në Britaninë e Madhe rreth 10 miliardë euro.

“Puna nga shtëpia do të jetë pjesë e normalitetit të ri pasi pandemia të përfundojë. Përllogaritjet tona sugjerojnë se shumat e ngritura nga kjo taksë mund të përdoren për të financuar personat me të ardhura të ulta, që e kanë të pamundur të punojnë nga shtëpia dhe të papunët”, thotë Jim Reid, drejtori global i strategjisë së kreditimit dhe kërkimit në “Deutsche Bank”.

Banka gjermane vëren se pandemia ka “popullarizuar” punën nga shtëpia, e cila edhe para infeksionit po përhapej me shpejtësi.

“Prej vitesh ka qenë nevoja për të vendosur një taksë për punën nga shtëpia. Covid thjesht e bëri të domosdoshme këtë. Shumë njerëz e kanë shkëputur veten nga tregu i punës tradicional, por sërish kanë një aktivitet ekonomik të plotë. Duke mos lëvizur, kjo kategori kontribuon më pak në infrastrukturën e ekonomisë, por sërish përfitojnë prej saj. Ky është një problem i madh”, thotë Luke Templeman, strateg i “Deutsche Bank”.

“Deutsche Bank” thotë se ky propozim do të ndihmojë për të mbështetur të papunët dhe personat e detyruar që të punojnë me paga minimale si pasojë e Covid-19.

Burimi: Deutsche Bank, The Guardian / Përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë