Nga Gazeta ‘Si’ – Në Komisionin për Çështjet Ligjore përfaqësuesi i Partisë Socialist deputeti Damian Gjiknuri prezantoi disa propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor për votimin nga jashtë.
Gjiknuri tha se është parë e nevojshme dhe me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndërhyrjen në disa elementë të Kodit Zgjedhor.
“E para ishte aspekti i afateve. KQZ nga konsultimet me operatorë të ndryshëm të postave ka arritur në konkluzionin që i duhet më shumë kohë nga momenti i miratimit të listës së fletës së kandidatëve dhe printimit të fletës së votimit, deri në vajtjen dhe ardhjen e zarfit, dhe ka kërkuar që ky afat të jetë më i gjatë për arsye, sepse afati është i shkurtër dhe mund të rrezikohet që një pjesë e mirë e elektoratit të cilët janë regjistruar në listën e votuesve nga jashtë nuk do të kenë mundësi ta ushtrojnë këtë drejtë.
Unë mendoj se do ta marrë mbështetjen e palëve, i krijon lehtësi KQZ ta administrojë këtë proces më mirë. KQZ të ketë më shumë kohë sepse nga momenti i paraqitjes së listës deri në aprovimin final koha mbetet e shkurtër dhe ka qëlluar që edhe lista përfundimtare e deputetëve është miratuar edhe 20 ditë para zgjedhjeve”, tha Gjiknuri.
Sipas Gjiknurit, përndryshe procesi mund të hyjë “në risqe të paparashikuara”.
E dyta, tha ai, ka të bëjë me lehtësimin e barrës financiare për votuesit nga jashtë. Duke iu përgjigjur deputetit Enkelejd Alibeaj i cili tha se ky propozim është në shkelje të Kodit Zgjedhor, Gjiknuri tha se kjo nuk ka të bëjë fare me përfitime apo ndalime që ka parashikuar Kodi Zgjedhor.
“Unë nuk e di që të quhet përfitim, lehtësimi i ushtrimit të së drejtës së votës. Kjo masë financiare i jepet KQZ, i dyti përfitues është operatori i postës që do të paguhet nga KQZ. Çdo gjë që lehtëson ushtrimin e të drejtës së votës nuk ka të bëjë fare me këto përfitime apo me ndalimet që ka parashikuar Kodi Zgjedhor. Ne nuk e dimë si do të votojë diaspora. E rëndësishme është që zgjedhësit t’i krijohet lehtësi. Kjo është lehtësi për të gjithë zgjedhësit që do të marrin zarfin e paracaktuar”, tha Gjiknuri.
Një propozim i tretë, tha ai, ka lidhje me administrimin e procesit të votimit. Sipas Gjiknurit komisioni që do të administrojë votën e diasporës do të jetë një komision politik.
Numërimi i votave të diasporës theksoi Celibashi do të bëhet në Tiranë me komisionarë të caktuar nga partitë politike dhe me një person teknik që do të jetë nga KQZ.
Sa i takon propozimit të Partisë Demokratike që votuesit nga jashtë të lejohen të regjistrohen me dokumente biometrike të shtetit ku jetojnë, Gjiknuri tha se edhe në aktet normative është parashikuar që të jenë dokumentet shqiptare.
Gjiknuri tha se nga të dhënat janë 150 mijë shtetas që nuk kanë dokumente fare.
“Debati që është hapur për pjesën e dokumenteve jashtë, kur kemi ndërtuar këtë sistem edhe në Kodin Zgjedhor edhe në aktet normative është parashikuar që të jenë dokumentet shqiptare sepse Kodi Zgjedhor njeh atë dokument për votim.
Nga të dhënat nga Ministria e Brendshme i ka edhe KQZ, janë 150 mijë veta që nuk kanë dokumente fare, pa të dhëna në sisteme biometrike. Unë them se kjo nuk duhet të përbëjë problem për të penguar pjesën më të madhe me kërkesa që janë jashtë parametrave që ka ngritur KQZ, përcaktimeve që janë në ligjin zgjedhor. A thua se mbaruam 1.7mln zgjedhës dhe ngelën këto 150 mijë?!”, tha më tej Gjiknuri.
“Çdo proces ka firot e veta, por ne nuk kemi pse të vrasim sistemin e ngritur se ka nevojë dhe për integritet. Të gjitha këto sisteme ka të bëjë me faktin e krijimit të integritetit sidomos në votimin nga jashtë, është i lirë i pakontrolluar dhe garancia e parë është identifikimi. Kjo e bën procesin me llogaridhënie të plotë. Edhe ky propozim nuk ka pse të kthehet në pengesë, ta rishikojë këtë gjë pasi do të penalizoheshin institucionet për ta mundësuar. E vetmja pasojë do të ishte këtu. Është momenti që përtej klimës politike të gjithë të votojnë. Të gjitha palët të kenë akses të barabartë në këtë sistem”, tha Gjiknuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




