Politike

Tryeza e OSBE si “mblesëri” për fejesën e radhës PS-PD

Tryeza e thirrur nga OSBE për reformën në zgjedhore u shndërrua në një arenë përplasjeje në kufijtë e qesharakes mes deputetëve të opozitës parlamentare, opozitës jashtëparlamentare dhe mazhorancës, ku pak u diskutuan propozime konkrete në nivel teknik dhe debati u kanalizua tek qëndrimet politike.

Sinjalet e përplasjes nisën që me agjendën e përcaktuar. Rudina Hajdari, si bashkëkryetare e komisionit për reformën zgjedhore së bashku me Damian Gjiknurin ishin ulur në krah të ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt. Pas Gjiknurit fjala iu dha përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Ivi Kaso. Këtu ndërhyn nga vendi deputeti Kujtim Gjuzi. Ai kërkoi që fjalën ta merrte Rudina Hajdari si bashkëkryetare e komisionit, duke shkaktuar një debat të shkurtër me Damian Gjiknurin.

Tryeza e OSBE për reformën zgjedhore. Ambasadori Borchardt, Damian Gjiknuri nga PS dhe Ivi Kaso i PD. Gazeta Si 25 shtator 2019

Gjiknuri sqaroi se ishte rënë dakort edhe me vetë Rudina Hajdarin që fjalën ta merrte Ivi Kaso. Ky i fundit deligjitimoi komisionin e reformës zgjedhore, duke shënjestruar si Damian Gjiknurin, ashtu edhe anëtarët e opozitës parlamentare në këtë komision.

“Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore nuk gëzon legjitimitetin e nevojshëm për realizimin e reformimit të kuadrit ligjor zgjedhor dhe nuk është organ përfaqësues i vullnetit të qytetarëve. Ai është produkt i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, të diktuara gjerësisht nga krimi i organizuar dhe blerja e votave me paratë e pista të krimit. Për pasojë, asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare. Në këtë drejtim, personat, subjekt të hetimeve penale nr. 184/2016 apo nr. 339/2017, janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si dhe me Reformën e vërtetë Zgjedhore për të cilën ka nevojë vendi”, deklaroi Kaso.

Opozita propozon ngritjen e një strukture jashtëparlamentare, të drejtuar nga ndërkombëtarët dhe me nga një përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës së bashkuar. Në formulimin e kësaj kërkese, përfaqësuesi demokrat e bëri të qartë se për opozitën e bashkuar, Parlamenti aktual nuk ka opozitë dhe ai është monopartiak.

“Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime”, deklaroi Kaso.

Pas hedhjes për diskutim të këtij propozimi dhe përsëritjes së zotimit se opozita mbetet e angazhuar dhe me vullnet të plotë që reforma të shkojë me thellë dhe të cekë edhe financimin e partive politike, përfaqësuesit e opozitës së bashkuar lanë sallën, duke lënë pas përçarjen e opozitës parlamentare.

Një tryezë e tensionuar që u vu re që nga mënyra se si nisi moderimi i saj. Fillimisht do të ishte drejtuesi i kësaj tryeze Damian Gjiknuri, i cili do të deklaronte se nuk ishte dakord me temën “Të mohuar nga sistemi…” që kishte kjo mbledhje e përbashkët që synonte të shkrinte akujt me PD-së dhe PS-së,. Sipas tij, problemi nuk ka qenë sistemi, por vullnetet politike. Sinjalet e para të tensionit nisën edhe për faktin se moderimi i kësaj tryeze do të bëhej nga socialisti Damian Gjiknuri. Do të ishte deputeti i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi që do të bënte publike dy axhenda paraprake, si dhe për faktin se kjo tryezë në variantin e parë do të modelohej nga demokratja Rudina Hajdari.

“Nuk mund të flasë këtu Ivi Kaso përpara Rudina Hajdarit. Nuk mund të anashkalosh t’i agjendën pa u konsultuar me partitë parlamentare. Duhet t’ia kishe dhënë fjalën së parës zonjës Hajdari dhe më pas Ivi Kasos. Ta dështojë PD-ja tryezën ”, tha Gjuzi. Ndërsa socialisti Gjiknuri i cilësoi këto qëndrime si jo normale, pasi është një tryezë dhe se nuk është një mbledhje e komisionit të reformës zgjedhore. “Është turp more njerëz, çfarë bëni kështu? Kjo është konferencë. Zotëri ju lutem se nuk e mbyll dot mikrofonin se nuk kam mundësi për një gjë të tillë”, replikoi Gjiknuri.

Alimadhi kërkoi që të largohen, por kryekomisioneri ishte i prerë kush të dojë le të ikë. Por Hajdari ka tentuar që të zbusë deputetët e opozitës parlamentare, duke iu drejtuar “se këtu dallohen demokratët, ne nuk mund të bojkotojmë sepse kështu nuk do të arrijmë asgjë, nëse do të largohen, do të sillemi si PD. Nëse ikim po sillemi si ata. Kjo është anija e fundit, nëse ata do të ikim, ju siguroj që do të fundosen në fundin e historisë”, është shprehur Hajdari.

Demokrati Myslym Murrizi u shpreh se opozita parlamentare është e unifikuar në qëndrimet e saj dhe se ka firmosur me 39 deputetë për ndryshimin e sistemit.

“Përshëndes ambasadorin e OSBE-së për nisëm, megjithëse se tentativa për fejesë mes PD-së dhe PS-së i dështoi. E dëgjova Kason, se sa legjitim jam unë në Parlament ia kemi thënë në dhjetor të ’90 kur ia kam rrëzuar regjimin babës së recituesit”, theksoi Murrizi.

Ndërsa tryeza vijoi me qëndrimet e Paskal Milo, Astrit Patozi,  Artur Roshi, Nimet Musait të opozitës parlamentare. Përpara se të vinte fundi i diskutimeve të panelit të parë, ku ishin përfaqësues e partive politike parlamentare. Murrizi, pas disa konsultash me kolegët e opozitës parlamentare, por edhe pas një bisede të shkurtër me Gjiknurin, deklaroi largimin nga salla. “I kërkojmë ndjesë zotit ambasador për këtë vendim. Gjejini me votat me atë që kanë bojkotuar, por reforma në këtë tavolinë, nuk mund të na anashkalojë çdo individ që nuk e ka këtë tagër e votë në Parlament”.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/700375700478844/

Largimit të tryezës i është bashkangjitur edhe demokratja Rudina Hajdari, e cila dukej se ishte e detyruar që të ndërmerrte një hap të tillë. Por kjo ikje e opozitës parlamentare nga tryeza është shoqëruar jo me pak polemika me deputetëve. Hajdari ka debatuar me deputetin Ralf Gjoni që të mos mbante deklaratë për median pa u konsultuar me grupin. “Mos bëj shou politik”, iu drejtua Hajdari, Gjonit, i cili nuk e dëgjoi këshillën e saj, por foli përpara medias, ndërsa opozitarët u mblodhën rreth demokrates në pjesën jashtë hollit të hotelit.

Me të njëjtat terma foli edhe Ralf Gjoni që shprehu ndjesinë se kanë nisur përpjekjet për të anashkaluar opozitën parlamentare. Ai e braktisi në shenjë proteste këtë tryezë. "Ne kemi votuar për dy bashkëkryetare. Loja që ju bëni me ata që u zemëruat në Parlament dhe tani doni të pajtoheni në hotel nuk e pranojmë. Doni të na anashkaloni! Ne po largohemi nga kjo tavolinë, duke i kërkuar ndjesë ambasadorit, por nuk mundet që të na anashkalojë çdo individ që nuk e ka këtë tagër dhe votë. Ne po largohemi nga kjo tryezë. Shkoni merrni votat në PD", deklaroi ai për mediat.

Deputetët e opozitës parlamentare duke u konsultuar mes tyre pasi bojkotuan tryezën

Më pas grupi i deputetëve të opozitës parlamentare është larguar nga salla për të marrë një qëndrim në lidhje me situatë të krijuar, që sipas tyre shkaktari ishte demokrati Kaso që u shpreh se nuk e njeh komisionin e reformës zgjedhore, duke e cilësuar si ilegjitim.

Por ndërsa ata u larguan sallës iu rikthye përfaqësuesi i Partisë Republikane, Arjan Madhi, i cili dëgjonte diskutimet e ekspertëve ndërkombëtarë për reformën zgjedhore.

Përfaqësuesi i {PR-së, Arjan Madhi në tryezë me kufje

Ambasadori i OSBE-së, Borchardt u shpreh i zhgënjyer nga opozita e re, dhe se shpresoj se do të kenë mundësi që të marrin pjesë në tryeza të tjera, duke bërë të qartë se mbajtja e kësaj tryeze ishte një sinjal i mirë.

Deputetët e opozitës parlamentare duke u largua nga vendi ku u mbajt tryeza

Rikthimi i opozitës së re dhe sherri me socialistët

Pas një mbledhje në kryesinë e Kuvendit, si dhe pas faktin që largimi i tyre u ndëshkua nga ana ambasadorit të OSBE-së, opozita parlamentare vendosi që të rikthehej në tryezën e reformës, duke dhënë sipas tyre edhe arsyet. Rudina Hajdari, Ralf Gjoni, Nimet Musai, si dhe deputetë të tjerë iu rikthyen tryezës, ndërsa Murrizi e Gjuzi nuk u panë në pjesën e dytë të tryezës. Hajdari u mundua që të sqaronte situatën e krijuar, duke deklaruar se arsye se pse e bojkotoi tryezën ishte fakti se përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso e provokoi tryezën dhe se nuk duhej që të fliste në atë mënyrë.

Edhe deputeti Ralf  Gjoni theksoi se arsye e largimit të opozitës ishte fakti se nuk mundej që të fliste Ivi Kaso para Hajdarit, pasi nuk ka tre bashkëkryetarë komisioni i reformës. “Në tryezën e parë nuk mund të qëndroja, pasi nuk mund të pranoja që fjalën të ma jepte Gjiknuri. Përsëris dhe të bashkohem me fjalët e zonjës Hajdari, pasi jemi në një linjë. Nuk dua që largimi unë nga sesioni i parë të keqinterpretohet, kjo është iniciativa jonë. Ne do i qëndrojmë besnik deri në fund kësaj kauze, nuk jemi për bojkot. Do të jemi këtu, por nuk mund të pranoj që në minutë të fundit të futet emri i një përfaqësuesi të PD-së dhe t'i jepet fjala para Rudina Hajdarit. Ne kemi dy bashkë-kryetarë dhe jo tre. Ndërhyrja që u bë nga Kaso për të shpalosur një qëndrim të PD-së dhe ofendimi ndaj nesh duke ikur është një praktikë e papranueshme" tha Gjoni.

Po ky qëndrim solli edhe reagimin e ashpër të socialistit Bashkim Fino, i cili u shpreh se “: Ikët nga mbledhja dhe tani nuk justifikon dot . Ju kam respektuar deri në fund edhe juve edhe zotin Damian. Mos na ejani mbas dy orësh e të na kërkoni falje ne, mos na vini këtu si kofini pas të vjelave. Çfarë jeni ju, ju jeni deputetë që kanë marrë votën nga ato parti që janë përjashta. Ata kanë ardhur kanë qenë në rrugë. Dil ja dy orë vërdallë, shiko lajmet dhe na vjen e justifikohesh”, deklaroi Fino. Por Gjoni iu kundërpërgjigj që të mos i ofendonte ato në qëndrimet e tyre. I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga Hajdari që e cilësoi si minues qëndrimin e Kasos, edhe pse pranoi që se agjenda ishte rakorduar me Gjiknurin. “Ju kërkojmë ndjesë ishte diçka emocionale edhe për këtë”, u shpreh Hajdari, e cila ia dha fjalën përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Gjiknuri sinjale të qarta: I hapur për PD-në

Por për socialistin Damian Gjiknuri tryeza e sotme ishte një sukses dhe kjo ka të bëjë me faktin e pranisë së opozitës jo parlamentare pra të PD-së. Madje socialisti i hapi derën PD-së për t’u njohur me propozimet e tyre. Ai u shpreh i hapur për kanalet e komunikimit me demokratët. “Unë jam aty te përfaqësoj interesat e PS, nuk kam pushtet të veçantë, vetëm rendin e fjalës madje edhe atë e kam të vështirë ndonjëherë. Unë jam i gatshëm ta rishikoj pozicionin tim, të gjithë politikanët akuzohen e rëndësishme është të përfaqësojmë partitë tona politke e sa kohë jemi të lirë s’mund të kondicionohemi”, tha për mediat Gjiknuri.

SocialistiGjiknuri duke folur për mediat

Ndërsa i pyetur për propozimin e bëre sot nga përfaqësuesi i opozitës ne tryeze, Ivi Kaso, që procesi i reformës “të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar”, Gjiknuri u shpreh se “Mekanizma jashtë sistemit parlamentar e vështirë të ketë sepse do miratohet ne fund nga Parlamenti, por nëse PD kërkon të kanalizojë propozimet e saj, ka mekanizma dialogu që ne nuk i refuzojmë apriori por duam të mësojmë më shumë çka kanë parasysh ata me këtë strukturë të re”.

Për qëndrimin e opozitës parlamentare, socialisti theksoi se e kuptoj tensionin e tyre, por se nuk mund të bëhet palë.

I gjithë debati u zhvillua përpara syve të ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt. Në mesazhin e tij ai kërkoi gjithëpërfshirje.

"Shpresoj që kjo konferencë të ndikojë në procesin e mëtejshëm. Duhet të jeni të hapur për të diskutuar për këtë çështje. Pjesëmarrja duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Duhet të merret vendimi, a duhet ta ndryshojë Shqipëria sistemin zgjedhor apo jo. Ne kemi dhënë rekomandimet tona", u shpreh ai.

Borchardt ka reaguar për skenën që ndodhi sot në tryezën e reformës zgjedhore, e cila u thirr nga institucioni që ai përfaqëson. Përfaqësuesit e opozitës, Ivi kaso, Ralf Gjonaj u larguan nga tryeza dhe kjo natyrisht la mbresa jo të mira në sytë e ambasadorit të OSBE. Deputeti Gjoni u rikthye sërish në mbledhje, ndërsa tha se ai dhe grupi që ai përfaqëson do të mbështesë reformën zgjedhore. Rikthimi i Gjonajt në tryezë është përshëndetur nga ambasadori i OSBE-së, i cilu u shpreh mes tjerash se sot është bërë një hap i mirë në përafrimin e palëve, ndërsa shtoi se ndihet i lumtur që OSBE mbështet procesin e reformës zgjedhore. “Këtë e shoh si një hap i parë i mirë, pavarësisht se çfarë ndodhi. Jam i lumtur se ne OSBE-ja do të mbështesim procesin e reformës zgjedhore”-tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë