Qeveria ka menduar të rrisë kufirin e vlerës së një malli që blihet online dhe preket nga TVSH-ja nga 22 euro që është momentalisht. Fillimisht vlera e pataksueshme e produkteve të blera ishte 150 euro. Ulja e vlerës u bë në Qershor të 2016.
Ky propozim erdhi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në formën e një projektligji për vitet 2021-2026.
Sipas operatorëve postarë kostot e larta administative në zhdoganimin e dërgesave të vogla rrit tarifat e këtyre dërgesave dhe ndikon në vonesat qe krijohen në dërgim të produktit. ‘’Për një shërbim postar sa më të mirë, nevojitet krijimi i një ‘’one-stop-shop’’ për pagesat online dhe rritja e çmimit ‘’ de minimis’’ për detyrimet e importit dhe eliminimin e tarifave për skanimin e dërgesave të vogla,’’ –shprehen ato.
Në dokument thuhet se Posta Shqiptare sh.a ka kërkuar rishikimin e tarifave të dërgimit postar për shërbimin universal. Ligji parashikon mbulimin e kostove neto të shërbimit universal ndërsa rishikimi i tarifave do të bëhet nga Posta Shqiptare në bashkëpunim me AKEP-in.
Referuar tarifave të aplikuara në Shqipëri nga ofruesi i shërbimit universal në strategjinë e Ministrisë të Energjetikës, tarifat për dërgimin e letrës me peshë 20 gram brenda vendit janë përkatësisht 70 lekë për letrën e porositur dhe 40 lekë për letrën e thjeshtë. Çmimi mesatar në Europë për dërgimin e një letre prioritare me peshë deri 20 gr brenda vendit është 0,91 euro. Ky çmim ka pasur një rritje me 9, 3% gjatë periudhës 2014-2018. Çmimi mesatar në Europë për dërgimin e një letre të thjeshtë me peshë deri 20 gram brenda vendit është 0.64 euro dhe ka pasur një rritje mesatare prej 1, 8% në vitin 2018 kundrejt vitit 2017.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.