Shumë vende të botës i janë drejtuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të heqë detyrimin që u buron nga e drejta e pronësisë intelektuale, të cilën kompanitë Pfizer dhe AstraZeneca po e shfrytëzojnë për të mbrojtur vaksinat e tyre anti-Covid, në mënyrë që të rritet numri i prodhimit të këtyre vaksinave.
Kërkesa kanë dorëzuar edhe vende të Bashkimit Europian, për të cilat Komisioni nuk u përjashton mundësinë e prodhimit të vaksinave të Pfizer nga vendet e BE-së pa marrë autorizimin e kompanisë, por duke shfrytëzuar klauzolat e përcaktuara në rregullat tregtare dhe të mbrojtjes së autorësisë së vendosura nga Organizata Botërore e Tregtisë.
“Nëse rrugët vullnetare dhe me mirëkuptim dështojnë, qeveritë mund të autorizojnë prodhimin e vaksinës pa miratimin e zotëruesit të patentës nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në marrëveshjen e tregtisë dhe pronës intelektuale të Organizatës Botërore të Tregtisë”, thotë Komisioni.
Megjithatë, aktualisht KE thotë se është në bisedime për të arritur një marrëveshje licencimi dhe ua lë në dorë vendeve anëtare të Bashkimit Europian që përmes nismave vetjake që të autorizojnë prodhimin e vaksinave anti-Covid pa miratimin e kompanive që zotërojnë patentat e tyre.
“Komisioni mbështet dhe nxit zgjidhjet vullnetare dhe me mirëkuptim të licencimit të vaksinës së Covid-19 dhe për këtë do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të drejtën e autorit në fushën e mjekësisë”, thotë KE.
Shumë vende të Bashkimit Europian, si Franca, Italia dhe Spanja i janë drejtuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të hequr detyrimin e licencimit për prodhimin e vaksinave, nisur nga rrethanat e jashtëzakonshme që ka shkaktuar virusi.
Aktualisht vetëm kompania Moderna ka deklaruar publikisht se nuk do të ushtrojë të drejtën e autorit dhe të pronësisë intelektuale për vaksinën e saj kundër Covid-19 përsa kohë do të zgjasë pandemia.
Megjithatë, përtej pengesave juridike që lidhen me pronësinë intelektuale shumë vende, mes tyre edhe të zhvilluara po hasin pengesa në ngritjen e infrastrukturës logjistike dhe me burime njerëzore për ngritjen e fabrikave të prodhimit në masë të vaksinave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.