Politike

Pronat në Himarë dhe integrimi në BE, Rama “zbut” Tspirasin

Një javë pas deklaratës me tone kërcënuese të kryeministrit grek, Aleksis Tsipras ndaj Shqipërisë, sa i përket pronave të minoritetit grek në Himarë, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ka nxituar të ulë gjakrat.

Mediat greke raportojnë se Rama i ka telefonuar homologut të tij, me të cilin kanë diskutuar për reformat e domosdoshme të Shqipërisë për të nisur rrugën e integrimit në BE.

Mësohet se Tsipras është ndalur gjatë në çështjen e pronave në detin Jon si dhe në legjislaturën përkatëse për minoritarët. Gjithashtu, dy kryeministrat diskutuan marrëdhëniet bilaterale ekonomike dhe zhvillimet e fundit në rajonin ballkanik.

Pak ditë më parë, kreu i qeverisë greke paralajmëroi Shqipërinë të ketë kujdes me respektimin e minoritetit grek.

Duke iu referuar një informacioni, sipas të cilit qeveria shqiptare ka konfiskuar prona të minoritetit grek në Himarë përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare, kreu i qeverisë greke tregoi se Shqipëria mund të përballet me sanksione, madje shteti helen mund të bllokojë procesin integrues.

“Kohët e fundit po shikojmë zhvillime që nuk na pëlqejnë. Mësova që ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek. Nëse është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ. Një çështje që fatkeqësisht neve nuk na jep optimizëm drejt perspektivës europiane. Nëse informacioni që kemi është i vlefshëm, nuk ekzistojnë parakushte për të ecur në këtë drejtim. Shpresoj të jem i gabuar. Sepse dëshira e të gjithëve është që hapat drejt perspektivës evropiane të bëhen realitet. Por, ne çdo shtet e shikojmë veç e veç”, tha Tsipras.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë