Ne rrjet

Pronat e Kishës/ Serbët akuzohen për kërcënim të paqes në Malin e Zi dhe rajon

Dhjetëra zyrtarë dhe ish-zyrtarë të mirënjohur, akademikë dhe figura të kulturës në Ballkan, i janë bashkuar një peticioni online, duke paralajmëruar për “kërcënim të paqes” së rajonit nga ana e Beogradit, pas reagimeve që janë parë pas miratimit të një ligji të ri për liritë fetare në Malin e Zi.
Mes 120 nënshkruesve të “Apelit kundër Kërcënimeve të Beogradit ndaj paqes në Malin e Zi dhe rajon”, gjenden ish-presidentë të Kroacisë dhe Sllovenisë, ish-liderë jugosllavë, tre ligjvënës serbë dhe dhjetë gazetarë.

Sonja Biserko, themeluese e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi

“Ne kemi parë nevojën e rikujtimit të vetës për disa gjëra që kanë ndodhur në vitet 1990 dhe të theksojmë se ato janë duke ndodhur edhe tani sipas një skenari të ngjashëm", shprehet Sonja Biserko, nënshkruese e apelit të 30 dhjetorit dhe themeluese e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, duke iu referuar gjakderdhjes që ka rezultuar me shpërbërje të Jugosllavisë.
Ligji i miratuar javën e kaluar në Parlamentin e Malit të Zi për liritë fetare, ka nxitur shqetësime për marrje të pronës së Kishës nga shteti, andaj ky dokument është kundërshtuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila ende ka pozicion udhëheqës në kishat ortodokse në Malin e Zi.
Ky ligj ka nxitur protesta të dhunshme në mesin e malazezëve pro-serbë, zemërim mes serbëve dhe përballje të ashpra fizike në Parlamentin e Serbisë, ku ligjvënësit kanë thënë se Qeveria serbe është duke bërë shumë pak për të mbrojtur Kishën Ortodokse Serbe në Malin e Zi.
Pas publikimit të letrës së hapur, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka kërkuar qetësi dhe ka thënë se Beogradi nuk duhet fajësuar pasi nuk ka të bëjë asgjë me ligjin e ri.
Ai ka thënë se serbët vetëm kanë shprehur shqetësimet e tyre për pozicionin e serbëve dhe kishës serbe në Malin e Zi.
Dikur ish-pjesë e Jugosllavisë, Mali i Zi u bë i pavarur nga Serbia përmes një referendumi më 2006.
Përveç të tjerash në letër është thënë se Republika e Malit të Zi është shënjestër e tentimeve për destabilizim përmes masave të dhunshme. Aty janë akuzuar “nacionalistët ekstremë të Serbisë” për “përdorim të ligjit të ri si tjetër tentim për grusht shteti”.
Përgjatë seancës parlamentare të 27 dhjetorit, brenda dhomës së parlamentit janë zhvilluar protesta të dhunshme. Shumica e ligjvënësve kanë votuar pro projektligjit, ndërsa anëtarët e partisë opozitare Fronti Demokratik kanë tentuar të parandalojnë këtë proces. Rreth 36 deputetë kanë bojkotuar votimin, duke i ofruar koalicionit udhëheqës mundësinë që të miratojnë projektligjin edhe pas tetë orëve të debatit. Disa prej ligjvënësve që kanë protestuar janë larguar prej ndërtesës nga oficerët e sigurisë, ndonëse nuk është bërë e ditur nëse ata janë ndaluar.
Një ditë më herët, qindra mbështetës të opozitës pro-serbe kishin dalë në rrugët e kryeqytetit, Podgoricë për të kundërshtuar projektligjin. Protestuesit ishin të zemëruar nga kërkesa e këtij dokumenti për të ofruar të dhënat mbi pronësinë që kanë prej para vitit 1918, kur Mali i Zi i është bashkuar Mbretërisë Jugosllave. Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastiret dhe kishat, ndaj ka dërguar ankesë në organizatat ndërkombëtare. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë