Kosova

Prokuroria Speciale përsërit ftesën për Kurtin. Qeveria e Kosovës propozon tri orare për t’i pritur në zyrë

Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, ka bërë të ditur për RTK-në zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu ka thënë për RTK-në se Kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpresë prokurorët në zyrën e tij për intervistim.

“Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër. Presim një përgjigje pozitive meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri”, ka thënë Kryeziu.

Kryeministri Kurti ishte ftuar të hënën nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar si dëshmitar, por nuk ishte paraqitur, pasi ndodhej për vizitë zyrtare jashtë vendit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, edhe të hënën ka thënë se kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë