Ka ndodhur

Prokuroria sinjalizon ashpërsimin e akuzës ndaj policit Nevaldo Hajdarajt: S’pati dhunë kur u vra Klodian Rasha

Prokuroria paralajmëron ndryshimin e akuzës ndaj efektivit të policisë, Nevaldo Hajdaraj, autori i vrasjes së 25-vjeçarit, Klodian Rasha në ngjarjen e ndodhur më 8 dhjetor.

Përmes një njoftimi të shkurtër, organi i akuzës deklaron me bindje se ka siguruar provat e mjaftueshme për të ndryshuar akuzën.

“Kryerja e veprimeve hetimore në drejtim të mekanizimit të ngjarjes, dhe identifikimit të përgjegjësisë penale të autorit, ku deri në këtë njoftim, shprehemi të bindur se veprimet hetimore në lidhje me këto rrethana janë në përfundim të tyre, dhe mekanizmi i ngjarjes është i qartë dhe i zbardhur në mënyrë të plotë, dhe do reflektohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës së kryer”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Akuza aktuale e ngritur ndaj Nevaldo Hajdarajt është ajo e vrasjes nga pakujdesia, ndërkohë që prokuroria nuk njofton nëse akuza e re do ta rëndojë gjendjen e të akuzuarit, apo do të lehtësojë atë.

Prokuroria hedh poshtë gjithashtu edhe dëshmitë e vetë Nevaldo Hajdarajt dhe të efektivit tjetër të forcave “Shqiponja” që ndodhej me të natën e ngjarjes, duke deklaruar se nga provat e grumbulluara nuk ka shenja dhune.

Ndërkohë, familjarët e viktimës kërkuan këtë të martë ashpërsimin e akuzës ndaj Hajdarajt. Vëllezërit e Klodian Rashës thanë se pensionin social që i kishte ofruar Qeveria do ta jepnin për bamirësi dhe se gjithçka që kërkonin ishte drejtësia. Ata paralajmëruan se brenda dy ditëve prokuroria do ta akuzojë efektivin Nevaldo Hajdaraj me akuzën e vrasjes me dashje.

Prokuroria thotë se është duke hetuar edhe në lidhje me pistoletën e gjetur pranë vendngjarjes, duke mos sqaruar nëse arma në fjalë i përkiste të riut Klodian Rasha, apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë