Drejtësia

Prokuroria sekuestron pasuritë e ish-ambasadorit shqiptar në Katar: Nuk i justifikon!

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e pajustifikuara të Edmond Çaçës, i cili ka mbajtur më parë postin e ambasadorit të Shqipërisë në Katar.

Mësohet se në kuadër të hetimeve ndaj tij të nisura në 2019-ën, janë sekuestruar edhe pasuritë nën emrin e bashkëshortes së tij B.Ç.

Organi i akuzës njofton se në 2025-ën është regjistruar një procedim pasuror ndaj tij dhe bashkëshortes. Hetimet nisën pas një kallëzimi të bërë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për shkak se ndaj tij ishin ngritur dyshime për fshehjen e pasurive të cilat nuk i justifikonte.

Hetimet e prokurorisë kanë nxjerrë në pah pasuri që nuk justifikohen me burime të ligjshme të ardhurash, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në vlerë të konsiderueshme.

Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2014–2017, kur E.Ç. ka mbajtur detyrën si ambasador në Doha, nuk ka deklaruar të ardhurat dhe pasuritë, përfshirë edhe interesa private që, sipas ligjit, duhej t’i raportonte në ILDKPI.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Fshehje apo deklarim të rremë të pasurisë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Pas një hetimi të thelluar financiar, rezultoi se disa pasuri të tij dhe të bashkëshortes nuk mund të justifikohen me burime të ligjshme të të ardhurave.

Si rezultat, Prokuroria regjistroi edhe një procedim pasuror më vete, në kuadër të ligjit për goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit, për sekuestrimin e aseteve.

Pasuri të paluajtshme:

Truall në pronësi të E.Ç., me sipërfaqe të madhe dhe disa regjistrime në ZK 8330. Një pjesë e kësaj pasurie është në pronësi të bashkëshortes (10/33).

Apartament 65.5 m², në ZK 3292.

Pyll me sipërfaqe 500 m² në ZK 2380.

Pyll tjetër me sipërfaqe 300 m² në të njëjtën zonë.

Pyll 10.000 m², i kufizuar në favor të E.Ç. dhe B.C., blerë me kontratë me rezervë kalimi pronësie në vitin 2020.

Apartament 52.63 m² në ZK 2364.

Pasuri të luajtshme:

Llogari bankare në “Credins Bank” në emër të bashkëshortes, me një shumë prej 90,093.76 euro.

Gjykata e gjeti të bazuar kërkesën e Prokurorisë dhe urdhëroi menjëherë sekuestrimin e pasurive të mësipërme, që pritet të qëndrojnë nën administrim shtetëror deri në përfundimin e hetimeve dhe vendimin përfundimtar të gjykatës.


    Copyright © Gazeta “Si”


    Më Shumë