Prokuroria e Përgjithshme nis hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, pas konstatimit nga hetimi se ka gënjyer në formularin e Dekriminalizimit, duke mos deklaruar se ka qenë i arrestuar dhe më pas nën hetim nga drejtësia greke. Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit si kandidat i Partisë Socialiste. Sipas ligjit, zyrtarët të cilët gënjejnë në formularin e dekriminalizimit, rrezikojnë të dënohen deri në 4 vite heqje lirie. Sipas burimeve, mësohet se “Kajmaku ka pasur detyrimin te deklaroje se është arrestuar ne flagrance dhe nuk e ka kryer atë” dhe se kryebashkiaku i Vorës ka nxjerrë edhe si dokument pafajësinë e marrë me vendimin e shtatorit të vitit 2019. Kjo është edhe prova që vetë Kajmaku e ka paraqitur zyrtarisht në letrën e depozituar në Prokurori ku deklaron se nuk ishte në dijeni që ishte në hetim”.

“Pavarësisht vendimit të pafajësisë së sipërpërshkruar, unë kam kërkuar dhe jam në pritje të të dhënave me shkrim nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Janinë, Greqi për rrethanat e marrjes së ndonjë mase sigurimi apo ndonjë urdhri ndërkombëtar kërkimi me emrin tim për këtë rast dhe në momentin që do t’i administroj, do t’ua vë në dispozicion së bashku me vendimin e plotë të zbardhur të pafajësisë nr. 236, datë 12.09.2019 si edhe do t’i pasqyroj ato edhe në dokumentin përkatës sipas ligjit”, thuhet në letrën që Kajmaku i drejtoi një ditë më parë kryeprokurores në detyrë Arta Marku. Kajmaku thotë në letër se nuk e dinte se rezultonte nën ndjekje penale nga ana e autoriteteve greke në vitin 2003, ndaj nuk e ka deklaruar këtë gjë në formularin e dekriminalizimit.

Letra e Kajmakut vjen pasi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është duke zhvilluar procedurën për verifikimin e subjektit Agim Kajmaku në bazë të ligjit të dekriminalizimit dhe nëse personi është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës. Burimet e Gazeta Si kanë bërë të ditur se Prokuroria i ka dërguar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dokumentin për mbylljen e hetimeve dhe në të konstatohet se Kajmaku fshehu faktin se ishte i dënuar në Greqi dhe ishte në kërkim. Brenda 10 ditëve do të mblidhet KQZ për të vendosur për mandatin e Kajmakut, por sipas burimeve mësohet se deri më tani ky institucion nuk ka përcaktuar akoma ditën se kur mund të mblidhet për të shqyrtuar mbi dokumentacionin e paraqitur nga ana e Prokurorisë.
PD akuza Ramës për mbrojtje të Kajmakut
Partia Demokratike publikoi një vendim të prokurorisë dhe gjykatës së Janinës, të datës 19 qershor 2003, ku thuhej se ai ishte arrestuar në janar 2003 në Janinë për blerje të fidanëve dhe bimëve të tjera me valutë të falsifikuara. Edhe pas denoncime të PD-së, në disa reagime për media, Kajmaku i mohoi vazhdimisht akuzat e PD-së, deri në momentin u publikuar një vendimi Gjykatës së Janinës, ku pushonte çështjen nga tij, duke e shpallur atë të pafajshëm. Numri dy i PD-së, Gazment Bardhi publikoi dje shkresës e Prokurorisë, të firmosur nga kryeprokurorja Arta Marku, mbi bazën e të cilës vërtetohej gjurmët e gishta ishin të njëjta mes Jorgo Totos dhe Agim Kajmakut.

PD-ja kërkoi largimin e menjëhershëm të Kajmakut nga posti i kryebashkiakut të Vorës. Të martën, PD-ja reagoi sërish nëpërmjet sekretarit për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se mbron kryebashkiakun e Vorës. “Agim Kajmaku gënjeu qytetarët shqiptarë dhe votuesit e Bashkisë së Vorës për të kaluarën e tij kriminale në Greqi. E vërteta, siç u provua nga prokuroria, është se Edi Rama kandidoi në 30 Qershor një të arratisur nga drejtësia, me urdhër kërkimi në Greqi dhe në Europë deri 6 javë më parë. Përpjekja e Edi Ramës për të mbrojtur një zyrtar të lartë që ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe ligjin nuk ka mbaruar. Agim Kajmaku qëndron në detyrë dhe akoma nuk është shkarkuar nga Edi Rama, njeriu që i dha mbështetje politike, duke e kandiduar për Bashkinë e Vorës”, deklaroi Gjata.

Ai theksoi se ligji i Dekriminalizimit parashikon që Kajmaku të dënohet me katër vite burgim dhe humbet mandatin. “Sjellja e Edi Ramës në mbrojtje të kriminelëve që përfshiu në politikë, nuk është e papritur. Edi Rama e ka lidhur fatin e tij politik me krimin, prandaj nuk zbaton Kushtetutën për të shkarkuar kryetarin e tij të Bashkisë Vorë, të kapur në shkelje të rëndë të ligjit të dekriminalizimit. Bashkëqeverisja e tij me krimin dhe më të fortët që blejnë vota për të, pa u dënuar nga drejtësia, është arsyeja pse dera e Europës vazhdon të qëndrojë e mbyllur për Shqipërinë”, theksoi Gjata.
PD-ja ka denoncuar tre kryebashkiakët që fituan në zgjedhjet e 30 qershorit si të dënuar dhe me probleme me ligjin e Dekriminalizimit. Valdrin Pjetri kryebashkiak i Shkodrës, Agim Kajmaku i zgjedhur kryebashkiak i Vorës dhe Mark Babani i Vaut të Dejës janë të akuzuarit e opozitës. Pjetri dha dorëheqjen duke refuzuar marrjen e mandatit, ndërsa për Kajmakun pritet të merret vendimi pas konstatimit të fshehjes së faktit se ishte në kërkim dhe ishte i dënuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




