Gazeta Si – Këshilli i Lartë Gjyësor ka futur në rendin e ditës çështjen e gjyqtares së posaçme, Irena Gjoka për të cilën u zbulua se kishte fshehur një dënim për falsifikim të dokumenteve në Greqi dy dekada më parë.
Prokuroria e Përgjithshme ia konfirmoi KLGJ-së këtë fakt dhe i kërkoi institucionit që të shqyrtojë çështjen.
“Shqyrtimi i relacionit “Për fillimin e procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares znj. {…}, gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”,- thuhet mes çështjeve të rendit të ditës.
Prokuroria ka kryer hetime të thelluara mbi vendimin penal të Gjokës në Greqi dhe ka konstatuar se dokumenti i dënimit është i saktë dhe i vlefshëm për t’u shqyrtuar në kuadër të procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares.
Shqyrtimi i sotëm do të fokusohet në analizimin e dokumenteve dhe vlerësimin nëse gjyqtarja plotëson kriteret ligjore për të vijuar detyrën në sistemin gjyqësor shqiptar.
Një javë më parë, Gjoka, në një letër dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor parashtronte argumentet kundër verifikimit të thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas së cilës, vendimi i gjykatës greke në vitin 2005 për të është autentik. Ajo insiston se nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor.
Rrëfimin e saj për këtë përplasje, Gjoka e nis që nga viti 2002, ku asaj i është refuzuar hyrja në territorin grek për dy herë radhazi, për ta kaluar më pas në procesin gjyqësor në Janinë në vitin 2005.
“Nuk jam njoftuar asnjëherë për procesin hetimor të zhvilluar ndaj meje. Nuk më është njoftuar akuza, nuk jam marrë kurrë në pyetje as në prokurori, as në polici, nuk jam njohur me përfundimin e hetimit apo me kërkesën për gjykim dhe me asnjë akt apo vendim tjetër të kryer gjatë procesit hetimor ndaj meje”, lexohet në letrën e Gjokës.
Verifikimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka që ka mbajtur edhe mbiemrat Shpata dhe Maneku nisën më 8 maj 2024, me kërkesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas denoncimeve publike të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



