Drejtësia

Prokuroria e Tiranës sekuestron pasuritë e të dënuarit për drogë në Angli

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive në pronësi të Arnaldo Lleshit, i cili rezulton i dënuar në Angli për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Sipas autoriteteve, pasuritë nuk justifikohen ekonomikisht dhe dyshohet se janë përfituar përmes veprimtarisë së paligjshme.

Bëhet fjalë për një truall, një ndërtesë, dy automjete dhe një biznes. Sipas Prokurorisë, Lleshi nuk i ka justifikuar ekonomikisht pasuritë në fjalë dhe dyshohet se janë fituar nga veprimtaria kriminale në shtetin anglez.

“Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.04, datë 22.05.2025, rezultoi se shtetasi A.Ll., është dënuar në Angli për veprën penale ‘Prodhim, shitje të lëndëve narkotike’ parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal dhe pasuritë e tij nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike e dyshohet se lidhen e rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, – thotë prokuroria.

Sipas të dhënave, edhe babai dhe vëllai i tij figurojnë si pronarë apo menaxhues të disa prej këtyre pasurive, të cilat gjithashtu janë përfshirë në masën e sekuestrimit. Autoritetet kanë nisur procedurat për hetimin e thelluar të burimit të fondeve.

Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë thuhet se hetimet për këtë çështje nisën më 22 maj 2025, në kuadër të një procedure pasurore. Gjatë hetimeve u konstatuan një sërë pasurish të dyshimta në emër të Lleshit dhe personave të lidhur me të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë