Politike

Prokuroria e Posaçme, a do të krijohet brenda qershorit?

Ngritja dhe funksionimi i organeve të reja të drejtësisë, si Prokuroria e Posaçme, SPAK është një nga kushtet kryesore të vendosura nga ana e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë për t’u plotësuar sa i përket procesit të çeljes së negociatave për anëtarësim në familjen e madhe evropiane.
Aplikimet për për Prokurorinë e Posaçme kanë përfunduar pas kalimit në dy faza të veçanta, duke bërë që numri i personave që duhet të bëjnë pjesë e SPAK të jenë 27. Rreth gjysma e prokurorëve, të cilët kandidojnë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme janë prokurorë aktualë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Për shkak të përvojës profesionale hetimore dhe kritereve apo specifikave të tjera të kërkuara, këto prokurorë janë konsideruar ndër kandidatët më potencialë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Ndërkohë gjatë fazës së dytë të aplikimeve, kanë shprehur interes për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme edhe ish-prokurorë, të cilët ushtrojnë aktualisht detyra të tjera jashtë sistemit të prokurorisë.
Pas mbylljes së aplikimeve sfida kryesore tashmë është kalimi i testimit të kandidatëve, i cili përmban dy etapa, e para është kalimi i procesit të Vettingut dhe vlerësimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.


Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, CSDG, në një raport të sajin në lidhje me këtë proces bën të ditur se deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konfirmuar në detyrë vetëm 5 nga 27 prokurorë, të cilët kanë aplikuar për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme.
Besnik Muçi, Arben Kraja, Dritan Prençi, Vatë Staka dhe Donika Prela janë emrat e vetëm që kanë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar, pra Vettingun.
Duke qenë se procedurat e rivlerësimit kanë filluar për pjesën tjetër të prokurorëve, do të duhet që KPK të prioritarizojë vetting-un për këta kandidatë, duke i përfshirë në kalendarin e seancave dëgjimore. Si rezultat i aplikimeve të reja edhe nga jashtë sistemit të prokurorisë, për një pjesë të kandidatëve procedurat e rivlerësimit nuk kanë filluar ende.

Kështu ky proces mund të kërkojë një zgjatje në kohë. Por “pengesë” nuk është vetëm vlerësimi, por edhe fakti që KLP nuk ka miratuar ende një rregullore në lidhje me këtë proces që do të ndiqet, pasi si detyrim ligjor që të kryejë shqyrtimin dhe përzgjedhjen e prokurorëve kandidatë.
“Aktualisht KLP është duke përfunduar hartimin e rregullores, e cila do të shërbejë për të përcaktuar metodologjinë e vlerësimit të prokurorëve, të cilët kandiduan për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Kjo rregullore do të përcaktojë në mënyrë të detajuar kriteret për vlerësimin e këtyre prokurorëve dhe pritet të miratohet së shpejti me anë të një vendimi të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky proces i shqyrtimit të dokumentacionit dhe dosjeve të prokurorëve kandidatë në PP do të realizohet nga vetë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për shkak se ky organ vazhdon të ketë mungesë të kapaciteteve administrative dhe burimeve financiare të mjaftueshme. Pas miratimit të rregullores, KLP ka parashikuar shqyrtimin e rreth 270 dosjeve të 27 prokurorëve kandidatë, duke llogaritur minimalisht rreth 10 dosje për kandidat. Për këtë arsye ky proces do të marrë një kohën e cila mund të zgjasë në disa muaj”, thuhet në raportin e qendrës CSDG.
Emërimi i prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme përbën një fazë mjaft të rëndësishme jo vetëm për fillimin e ngritjes hap-pas-hapi të këtij institucionit të hetimit, por në të njëjtën kohë edhe të fillimit të krijimit të organit tjetër pjesë e SPAK, siç është Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Për realizimin në kohë të këtij procesi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që struktura e posaçme të funksionojë me 10 anëtarë, nga 15 që parashikon ligji aktual, me synimin që plotësimi të realizohet më vonë.


Dështimi me Gjykatat Antikorrupsion
Megjithëse muaji shkurt parashikohej si afati përfundimtar për emërimin e përkohshëm të gjyqtarëve në Gjykatat Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (KKKO) dhe SPAK, duket se procesi do të kërkojë ende kohë.
Në rastin e emërimit të prokurorëve tashmë KLP është shprehur zyrtarisht që ky proces do kërkojë disa muaj për shkak të kohës që do të duhet për të shqyrtuar një volum të konsiderueshëm dosjesh si edhe dhe Vetting-ut të prokurorëve. Ndërkohë në rastin e emërimit të gjyqtarëve, edhe pse procedurat janë disi më të thjeshtuara, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk është shprehur ende zyrtarisht mbi emërimin e përkohshëm të gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda. Këto të fundit mund të kalojnë automatikisht në Gjykatat e Posaçme nëse ata dhe familjarët e afërt të tyre pranojnë të japin pëlqimin paraprak për kontrollin e vazhdueshëm periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake apo nëse ndaj tyre ka filluar procesi i rivlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).
Sipas këtj raporti, funksionimi i Gjykatave KKKO dhe Strukturës së Posaçme SPAK është ndërtuar dhe duhet të funksionojë në mënyrë të harmonizuar. Fillimi i ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve të hetimit do të kërkojë bashkëpunimin dhe koordinimin me Gjykatat KKKO dhe anasjelltas. Vonesat e tejkaluara të ngritjes dhe funksionimit të njërit prej këtyre organeve do të krijonin vakuam edhe në ushtrimin e kompetencave të strukturave të tjera kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lista e kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë