Kosova

Prokuroria e Hagës ngre aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, arrestohen tre persona të tjerë

Gazeta Si – Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), njoftoi të premten se ka ngritur një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nën dyshimin për pengim të drejtësisë dhe se ka arrestuar tre të dyshuar të tjerë për pengim të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Në një njoftim për media, ZPS-ja tha se i ka arrestuar ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliun. Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është urdhëruar të paraqitet në gjykatë, pasi akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës, thuhet në njoftim.

“Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, tha Prokuroria.

Ajo tha se Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – do të paraqitet para një gjykatësi të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij.

Aktakuza e re ndaj ish-kryeministrit dhe presidentit të Kosovës, Thaçi dhe arrestimit të Smakajt, Kilajt e Fayliut dhe fletëthirrjes për Kucin, vijnë një ditë pasi ZPS-ja njoftoi të enjten se po kryente operacione të vazhdueshme në Kosovë në lidhje me hetimet që është duke i kryer për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.

“Zotërinjtë Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura”, tha ZPS-ja të premten.

Ajo shtoi se Kuçit i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara, pasi ato kanë ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Holandë, deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani. Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje. Në Dhomat e Specializuara gjithashtu është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë